Një atentat ka ndodhur në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë, ku është qëlluar në drejtim të një 42-vjeçari. Fatmirësisht ai u ka shpëtuar plumbave, ndërsa gazetari i Report Tv, Sokol Dema ka siguruar edhe foton ekskluzive të autorit të dyshuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 06:45 të 14 dhjetorit, teksa 42-vjeçari Rudolf Zefi ka qenë dukë lëvizur i vetëm me makinë. Ndërsa u ka shpëtuar plumbave, ai ka shkuar dhe ka bërë kallëzim në polici se është qëlluar nga një person i paidentifikuar. Report Tv mëson se autori është afruar dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të 42-vjeçarit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja.
Vetë Rudolf Zefi para uniformave blu ka mohuar të ketë konflikte. Autori i atentatit ende nuk është identifikuar plotësisht, por burime për gazetarin Sokol Dema bëjnë me dije se Policia dyshon për një të dënuar që sapo ka dalë nga burgu. Ai është filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve përreth rrugës ‘Don Bosko’, pamje të cilat mund të ndihmojnë në identifikimin e tij dhe zbardhjen e dinimakës së ngjarjes.
“Më datë 14.12.2023, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr. 3, shtetasi R. Z., 42 vjeç, i cili ka kallëzuar se në rrugën “Don Bosko”, rreth orës 06:45, një shtetas ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtonte. Nga të shtënat me armë zjarri nuk ka persona të dëmtuar”, njofton policia.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.