Ronald Araujo ka përfunduar në listën e dëshirave të Bayern Munich dhe trajnerit Thomas Tuchel. Bavarezët do të tentojnë që në merkaton e janarit për ta transferuar në Gjermani, 24-vjeçarin e katalanasve. Madje, tekniku Tuchel dhe drejtori sportiv i bavarezëve, Christoph Freund e kanë telefonuar Araujon për t’i prezantuar detajet nga projekti i rekordmenëve gjermanë.

Bavarezët janë të gatshëm t’i dhurojnë një kontratë të majme Araujos e gjithashtu mund të mbërrijnë deri në shifrën e 100 milionë eurove për Barcelonën. Kjo urgjencë e Bayern vjen prej dëmtimit të Mathijs De Ligt, teksa prapavija “fut ujë” dhe këtë e vërtetoi edhe disfata 5-1 ndaj Eintracht Frankfurt. Megjithatë, përtej shifrave ende të pakonfirmuara, sipas shtypit katalanas shumë pranë klubit të Barçës, uruguajani nuk e ka për qëllim të ndryshojë ambient në merkaton e janarit dhe mbetet i fokusuar te sezoni me blaugranat.

Situata mund të ndryshojë në verë, aty ku ka më shumë kohë për bisedime si dhe për vetë klubin spanjoll që në atë periudhë, përballë një ofertë joshëse mund të heqë dorë nga shërbimet e mbrojtësit. Po sipas spanjollëve, Araujo është i orientuar më shumë në aspektin sportiv dhe jo atë financiar.

Ai ndjehet mirë në Barcelonë dhe kërkon t’i japë edhe pak kohë Barçës për të kuptuar planin e drejtuesve në merkaton e ardhshme. Nëse katalanasit nuk ndërhyjnë për të rritur cilësitë e skuadrës, atëherë Araujo do të pranonte ofertën e Bayern, klub që i garanton trofe si dhe shansin për të fituar Champions League.

Aktualisht, Araujo ka një kontratë që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2026 dhe klauzola për t’u larguar është një miliard euro.