Me ftesë të Shoqatës “Ardhmëria” të komunitetit shqiptar në Londër, gazetari i Top Channel, Marin Mema ka qenë prezent në një diskutim të hapur për drejtat e emigrantëve dhe përfaqësimin e tyre.

Në takim u diskutuan tematika të ndryshme, si Gjuha shqipe në shkolla, identiteti shqiptar, dhe një nga më të rëndësishmet ishte vota e emigrantëve. Gjithashtu emigrantët shprehën shqetësimet për mos funksionimin siç duhet të ambasadës shqiptare në Londër. Gjatë eventit, Bordi i shoqatës ‘Ardhmëria’ ka marrë vendimin për të shpallur Marin Memën President nderi të shoqatës “Ardhmëria”. Në një fjalim falenderues, Marin Mema tha se shqiptarët duhet të jenë bashkë, më pranë njeri-tjetrit dhe të mos lejojnë njeri t’i përçajë.

Ne kemi një gjak, një trashëgimi, një kulturë, një identitet bashkë, tha Mema, duke shtuar se shqiptarët nuk duhet të presin forca të jashtme apo politikën e brendshme për të qenë bashkë. Bashkimin, sipas Memës, e bëjnë vetëm shqiptarët.

“Faleminderit për mirënjohjen, faleminderit që jeni këtu. Më vjen mirë që shoh shumë shqiptarë bashkë pa dallim krahine, pa dallim zone, bashkë sepse duhet të jemi bashkë. Në fakt gjërat kështu fillojnë, me të qenit bashkë. Çdo gjë është më e lehtë nëse ne lëmë dëshirën e kahershme për të qenë individ i mirë, por ekip i dobët. Sot është koha që gjërat ti bëjmë bashkë. Ti lëmë ndasitë mes nesh, të kuptojmë që ka shumë njerëz që janë përpjekur dhe do të përpiqen gjithmonë të na vënë shkopinjtë të na përçajnë, të na ndalojnë por ne, jo vetëm që nuk duhet ti lejojmë këta njerëz të na përçajnë, por përkundrazi duhet të jemi edhe më pranë njeri-tjetrit.

E përmend shpesh në nëntor, dhe do ta përmend edhe këtë fillim dhjetori. Është një fotografi emblematike që ne kemi dhe të gjithë e nxjerim në 28 nëntor, një fotografi e përbashkët e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Po na kërkojnë në vazhdimësi që të krijojmë histori të veçanta me njeri-tjetrin, por si t’ja bëjmë?! Ne me atë fotografi me histori shumë të veçantë për identitetin kombëtar kemi burrin e urtë të Vlorës dhe burrin e fortë të Boletinit në Veri të Kosovës. Si ta bëjmë, ta ndajmë në mes këtë fotografi?! Ta ndajmë në mes? Ne nuk e ndajmë dot në mes. Kjo është pikërisht historia jonë. Ata dy burra ishin aty bashkë sepse i bashkon historia, tradita, trashëgimia, gjithçka. Ne nuk mund ta bëjmë historinë ndryshe me njeri-tjetrin sepse ne nuk jemi ndryshe nga njeri-tjetri. Ne kemi një gjak, një trashëgimi, një kulturë, një identitet, gjithçka e kemi bashkë. Por atëherë çfarë po presim?! Po presim që të na e bëjnë të tjerët të qenit bashkë si shqiptarë. Nuk kanë për të na e bërë të tjerët asnjëherë. Asnjëherë. Nuk kanë për ta bërë, të jeni të sigurt dhe këtë po jua them shumë sinqerisht, as forcat politike. As ato nuk kanë për ta bërë. Këtë do e bëjnë vetëm shqiptarët”- tha Marin Mema. I ndalur te diaspora shqiptare, Mema u bëri thirrje që të jenë më të organizuar, më e fortë, me qëllim që të jetë e aftë të shtyjë dhe ushtrojë presion pozitiv kharshi ndryshimeve pozitive që do të ndodhin në trojet shqiptare.

“Kjo është njëra anë, por është edhe një pjesë tjetër shumë e rëndësishme; fakti që mërgata sot duhet të jetë më e organizuar, duhet të jetë më e fortë, duhet të jetë më e aftë të shtyjë dhe të ushtrojë presion pozitiv kharshi ndryshimeve pozitive që do të ndodhin atje tej në trojet shqiptare. Pra është koha që ne të përpiqemi ta bëjmë vetë vendin tonë.

Ne jemi individë shumë të suksesshëm, por ekipin e kemi të dobët gjithmonë. Pra ne jemi shumë të fortë, patriot, reagojmë fortë në nëntor, e duam kombin, por kombi nuk duhet vetëm një ditë në vit, por çdo ditë të vitit. Për kombin luftohet çdo ditë të vitit. Kombi është familja, kombi është shpirti, kombi është e ardhmja dhe po nuk luftuam ne për kombin tonë kush do ta bëjë?! Do ta bëjnë të tjerët, nuk kanë për ta bërë kurrë. Ne shqiptarët nuk jetojmë 20 vjet, jetojmë edhe ne një jetë si të gjithë të tjerët. Kështu që duhet të jemi më pranë njeri-tjetrit. Më të organizuar, më pjesë e aktiviteteve që kanë lidhje me identitetin kombëtar. Ne jemi shqiptarë gjithë vitin, nuk duhet të reagojmë vetëm në nëntor. Ka ikur koha e folklorizmit, kombi nuk bëhet me folklorizma”- tha Marin Mema.