Dukej se ishte një prej çifteve më të qëndrueshme të edicionit të parë të “Love Island Albania”, por për fat të keq, Amadea dhe Haris i kanë dhënë fund shumë shpejt raportit të krijuar në vilën e dashurisë. Haris, prej javësh tashmë i larguar në Angli, ka vendosur të vazhdojë jetën e tij pa Amadean.

Kjo e fundit, një pjesë të lajmeve për reagimet e tij, siç shkruan, i ka mësuar nga portalet, por këtë mbrëmje ka vendosur të bëjë një reagim publik për të sqaruar atë çfarë ka ndodhur mes dy të rinjve.

“Përshëndetje të gjithë ju dashamirësit e mirë! Duke qenë se jam mirënjohëse për mbështetjen dhe dashurinë që më keni ofruar, ndihem e detyruar t’ju informoj mbi situatën që ka ndodhur në ditët e sotme. Të dregohem e drejtë, dua të pranoj që unë nga portalet mora vesh fundin e raportit në Instagram me Haris dhe më pas, kur ai vetë më hoqi nga rrjetet sociale pa thënë asgjë. Dua të theksoj se jam e habitur dita-ditës me veprimet që bëri djali në fjalë kundrejt meje. Pranoj krenare që ndjenjat e mia në atë program dashurie ishin shumë reale dhe ju e keni përqafuar se sa e vërtetë ka qenë çdo ndjesi kundrejt djalit dhe besova në atë magji, që kur dolëm nga aty ishte më shumë sesa e gënjeshtërt. Qëllimi i Haris ishte të ishte fituesi dhe unë jam manipuluar nga ai. Teksa ne dolëm në vendin e dytë, kuptova që unë gjatë gjithë kohës isha e përdorura. Më vjen keq Haris që ti, për objektivat e tua qenke gati t’i shesësh edhe shpirtin djallit. Veprimet e tua e treguan se çfarë fshihet pas atyre buzëqeshjeve dhe lotëve false”, tha Amadea.