Kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar në emisionin “Real Story” se ai ka firmosur vetëm për Tiranën, ndërkohë të gjithë kryebashkiakët e tjerë janë përgjigjur më vete si ai i Vorës, apo Kavajës.

Ai ka theksuar se në ato vite kur janë hedhur firmat ka qene një forcë politike, që i ngre këto akuza.

Sakaq, Veliaj ka thënë se hallet që ka familja Berisha dhe familja Meta, mos i pastë njëri në botë.

“Gënjeshtra konkrete është që kanë firmosur në emër të qarkut. Kjo është logoja e Bashkisë së Tiranës, është firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, jemi parimisht dakord për sa i përket rolit të bashkisë. Sa mbetje prodhon Tirana, kur është sezoni i këtyre mbetjeve, në verë ka më pak mbetje se një pjesë e madhe janë pushim. Kështu që kontributi ynë në këtë proces ka qene për të dhënë të gjithë informacionin se sa përballohet në bashkinë e Tiranës. Kështu që e gjithë legjenda urbane se sa janë ndërtuar në emër të të gjithë qarkut të Tiranës bie poshtë, është përgjigjur më vete kryetari i bashkisë së Vorës, më vete kryetari i bashkisë së Kavajës. Në ato vite kanë qene të forcës politike që i ngre këto akuza. Unë e kuptoj se çfarë hallesh kanë, hallet që kanë familja Berisha, familja Meta, mos i pastë njëri në këtë botë, ua kuptoj pse kërcen nga belaja gjithë kjo orkestër, por ky nuk është halli im. Duhet të kuptoni që bashkia e Tiranës ngre komisione çdo ditë, ku do të vendosen stacionet e autobusave, ku do të jenë kazanët e plehrave, ku do jetë kopshti i ri, cerdhja e re, është një punë rutinë”.

Ndërsa për akuzat e opozitës, ai është përgjigjur: “Nuk ka asgjë ligj që thotë duhet të ketë një mbledhje të posaçme për këtë. Mund të jene mbledhje formale për të respektuar një autoritet që vjen. Mbaj mend kur unë kam dhenë dy qytetari nderi si Nexhmije Pagarusha, atëherë kjo duhet një mbledhje. Por nuk ka pse të jetë një mbledhje e posaçme”.