Qindra protestues janë mbledhur natën e mbrëmshme në Tel Aviv, pas lajmit se ushtria izraelite ka vrarë gabimisht tre burra që janë mbajtur peng në Gazë.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe kanë ndezur qirinj, teksa kanë marshuar drejt bazës ushtarak në Tel Aviv dhe i kanë kërkuar Qeverisë izraelite të negociojë marrëveshje për lirim të pengjeve të mbetura.

Vdekjet janë bërë të ditura të premten teksa një zyrtar i lartë amerikan ka tentuar t’i bindë izraelitët që ta ulin intensitetin sa më shpejt në luftën kundër Hamasit.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pas sulmeve të grupit në tokën izraelite, më 7 tetor, duke lënë të vdekur mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Pengjet besohet se janë vrarë të premten në qytetin e Gazës, ku ushtarët izraelitë janë përballur me luftë të ashpër të militantëve të Hamasit.

Ushtarët i kanë identifikuar gabimisht tre izraelitët si kërcënim dhe kanë gjuajtur kundër tyre, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Ai ka thënë se besohet që të tre burrat, ose kanë ikur prej pengmarrësve, ose janë braktisur.

“Ndonëse në ditët e fundit, ose ditën e fundit, ende nuk i dimë të gjitha detajet, ata kanë arritur në atë zonë”, ka thënë Hagari.

Ai ka thënë se ushtria shpreh “pikëllim të thellë” dhe se situata po hetohet. Prej marrjes së pengjeve nga Hamasi, kjo temë e ka dominuar diskursin publik në Izrael.

Familjarët kanë bërë fushata të fuqishme duke bërë thirrje që Qeveria të negociojë kthimin e tyre. Protesta në solidaritet me pengjet dhe familjet e tyre mbahen gati çdo ditë në Izrael.

Liderët politikë dhe ata ushtarakë të Izraelit janë deklaruar shpesh se lirimi i të gjitha pengjeve është qëllimi kryesor i luftës, bashkë me shkatërrimin e Hamasit.