Analisti Lorenc Vangjeli duke folur për kërkesën e SPAK ndaj Berishës, tha se ka disa arsye përse ish-kryeministri nuk ishte paraqitur që në fillim kur iu caktua “detyrim paraqitje”.

Vangjeli tha se Berisha i frikësohej faktit se nëse do të paraqitej në SPAK, do të ishte vetëm fillimi për shumë çështje të tjera për të cilat mund të nisë hetimi ndaj tij, si 21 janari, Gërdeci etj.

“Unë besoj se Berisha këtë dosjen e cështjes Partizani e konsideron si një aperitiv, sepse menuja e dyshimeve publike mbi Berishën është shumë herë më e rëndë se dheu që mban 17 kulla. Nuk ka peshë më të rëndë se dheu i një varri. Pesha më e rëndë dhe më e pamatshme që nuk ka ekuivalent tjetër është pesha e varrit që e marrim të gjithë kur ikim.

Duke u thënë këtë kam parasysh 4 varret e hapura në 21 janar që ende nuk kanë marrë drejtësi. Vendimi i gjykatës së Strasburgut është orientim për drejtësinë. Ka dyshime të tjerë, gjysma e shqiptarëve mendon se Berisha është i përfshirë në çështjen e Gërdecit apo në çështje të tjera të panumërta që lidhen me pushtetin e tij të gjatë. Të cilat e kanë kushtëzuar Berishën të zgjedhë një rrugë të tillë”, u shpreh Vangjeli