MARSID GUPI

Muaji nëntor, përveçse është muaj i festave të mëdha në rrafshin kombëtar është edhe muaji, në të cilin çdo vit mbahet panairi i librit. Një nga librat të cilin e bleva me shumë dëshirë dhe kureshtje, është libri Tregimet nga autori Jorge Luis Borge.

Më nxiti të reflektoj mbi aktualitetin politik një thënie e tij: “E ç’di njeriu në jetë kur nuk di ditën e vdekjes së tij”. Thënie e saktë e cila vlen për kohën jetësore ama jo për kohën politike! Madje në kohën politike qenia njerëzore e ka madhështinë të jetë përcaktuese e vdekjes së saj. Në politikë vdekja është madhështi, sepse tregon realizimin e qëllimeve dhe ideve politike, fitoren mbi egon dhe ambicien, si dhe guxim e përulësi për ti lënë hapësire ideve të reja. Aktualiteti politik shqiptar ka tre personazhe, të cilët nuk kanë guximin të pranojnë këtë madhështi, madje i ngjajnë fëmijëve të përkëdhelur, të pangopur, madje cinikë dhe të paskrupullt , që kanë vendosur një simetri midis kohës së tyre politike dhe kohës të jetës njerëzore të qytetarëve. Ata barazojnë fundin e jetës së tyre politike me fundin e jetës njerëzore të votuesve të tyre. Kjo simetri i mban ata na aktualitet pavarësisht se i ka zbrazur nga identiteti politik dhe idetë politike. Nëse i abstragon deri në ekstrem dëshirat e tyre , ata më përpara do dëshironin të shikonin të mbaronte koha jetësore e votuesve të tyre sesa koha e tyre politike.

Berishës si doktor në profesion, do i duhej një alibi humaniste për të justifikuar këtë kohë politike, e cila është më e gjatë sesa koha jetësore e ithtarëve të tij besnikë. Mendoj se do e kishte guximin të deklaronte duke thënë; “Më nigjoni mue, un jam si ay prindi qi pranon me jetu ma gjat sesa fmia e tij, sepse sdo kisha paqe n vdekjen time, pa e dit që fmia im ka jetue i lumtur”. Edi Rama do tregohej me cinik duke thënë se “Ndryshe nga doktori i përjetësisë, unë nuk i shikoj si fëmijë votuesit e mi por si miq. Miq me të cilët kemi një rrugë të përbashkët. Është dashuria ime për ta, e cila më çon deri aty sa më mirë të ngel i vetëm unë deri në përfundimin e kësa rruge sesa ti lej ata vetëm”.

Ilir Meta do ishte më i qetë, madje më racional sa do shprehej , shkurt e saktë : “Me qetësi dhe dashuri o do ndihmoj babain të shikojë lumturinë e fëmijëve ose mikun për ti lënë në paqe miqtë gjatë ndarjes nga rruga! Nëse ata të dy nuk e duan ndihmën time, atëherë ngel vetëm të shikoj Shqipërinë në Europë”! Ndërkohë mua ashtu si popullit , intelektualëve të rinj, punëtorëve, sipërmarrësve dhe shtresës se mesme , na ngel vetëm ti themi se : “Vdekja politike është madhështi, vdekja jetësore fatkeqësi!”