Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e fundvitit me anëtarët e Këshillit Bashkiak, tha se buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2024 është 10 herë më i madh se ai që u gjet nga administrata e kaluar. Ai shprehu keqardhjen për skenat e krijuara nga opozita në mbledhjen e këshillit.
“Unë e trajtoj me shumë respekt votën e atyre që na kanë mbështetur, ashtu sikurse respektoj edhe bindjen e atyre që nuk mendojnë si ne, sepse them se duhet të punojmë më shumë për ta çuar përpara Tiranën. Por, kur shikon disa kolegë që nuk e kanë fare problem të tallen dhe ta trajtojnë pa pikë respekti votën e qytetarit, – ç’rëndësi ka sa pak je, vërtet ndoshta nuk i ke numrat, por ke mundësi të bësh diferencën në cilësi, të japësh një propozim alternativ, të thuash ti një buxhet sipas pikëpamjes tënde, një sistem taksash sipas pikëpamjes tënde, një plan investimesh sipas ideve të tua, – është për të ardhur keq,” tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shtoi se në kontrast me sjelljen e këshilltarëve të opozitës, Tirana po merret seriozisht nga liderët e Europës, të cilët e kanë shpallur kryeqytet të Rinisë, Sportit dhe Kulturës.
“Ulen njerëz shumë seriozë kur diskutojnë cili do të jetë kryeqyteti Europian i Rinisë, ulen njerëz shumë seriozë në Bruksel te diskutojnë cili e meriton titullin Qyteti Europian i Sportit, ulen po ashtu njerëz shumë seriozë dhe thonë: Kujt do ia japim këtë titullin Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës? Kur ti shikon që bota të merr kaq seriozisht dhe ndërkohë, një pjesë e politikës thjesht tallet me qytetarët dhe thjesht i përdor si mish për top në këtë kulturën e sharjes e përçarjes, edhe në vigjilje të Krishtlindjes, thua pse duhet të jetë kështu? Nuk e di kush e mbjell këtë mallkim! Duket si ai mallkimi i Rozafës që ca vëllezër duhet ta bënin murin, të tjerët e prishnin,” tha më tej Veliaj.
Ai shtoi se tensionet në parlament po zhvendosen edhe në Këshillin Bashkiak, si një kopje e shëmtuar e po një pjese të vogël të politikës.
“Sot të vetmit që pengojnë qytetin, progresin, zhvillimin, janë një pjesë e jona, fatmirësisht e vogël, dhe e pamjaftueshme për të na penguar, por kur do vijë ajo ditë? Kjo është brenga ime. Pra, aq sa jam krenar për çfarë kemi arritur, aq edhe është brengë sesi Këshilli Bashkiak po kthehet në një miniaturë të Parlamentit, me ato lloj sjelljesh primitive. Ndërkohë që, për fatin tonë, shoqëria është emancipuar shumë dhe ka ecur shumë më shumë përpara. Ne kemi një shoqëri e cila sot kodon, ne kemi një shoqëri sot që ka ndjesi ambientaliste për mobilitetin dhe për mënyrën sesi e trajton jetën. Shoqëria jonë është shumë perëndimore. Dhe në qoftë se Shqipëria është Europa në Ballkan, Tirana është pjesa më europiane e Shqipërisë,” deklaroi më tej Veliaj.