Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në Nju Jork, ku ka marrë pjesë si i ftuar nderi në pritjen e organizuar për emërimin e gjyqtares së parë shqiptaro-amerikane në SHBA, Edit Shkreli. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj shkruan se ky nuk është vetëm shekulli më i mirë për Shqipërinë deri më sot, por është edhe shekulli i grave të mrekullueshme shqiptare.

“I lumtur që shoh motrën time të vogël, Edit Shkreli, të zgjidhet si gjyqtarja e parë shqiptaro-amerikane në Nju Jork, por edhe si më e reja në moshë. Historia e saj, si një emigrante 13-vjeçare, e cila e nisi çdo gjë nga zero, pas humbjes së babait – duke luftuar, studiuar dhe duke u përpjekur fort – është historia e një Hirusheje të kohës sonë. Ky nuk është vetëm shekulli më i mirë i shqiptarëve deri më sot, por mbi të gjitha është shekulli i grave të mrekullueshme shqiptare si Editi, Mira Murati dhe Ermonela Jaho – e shumë grave të tjera, që frymëzohen prej tyre! FORCA!”, shkruan Veliaj.