Kryebashkiaku Erion Veliaj ka nxjerr bllof opozitën duke hedhur poshtë me fakte të gjitha akuzat e ngritura prej saj në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Në intervistën në “Real Story” për Sokol Ballën, ai ka shpjeguar se opozita gënjen qëllimisht kur e akuzon se Veliaj ka firmosur në emër të Qarkut të Tiranës për inceneratorin. Veliaj sqaroi se ai ka firmosur vetëm për Bashkinë e Tiranës, kurse kryebashkiakët e Vorës, Kavajës, Rrogozhinës janë përgjigjur më vete.
 
“Gënjeshtra konkrete [e opozitës] është se paskam firmosur në emër të Qarkut të Tiranës. Kjo është logoja e Bashkisë së Tiranës, është firmosur nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, kurse letra thotë: “…shprehemi parimisht dakord, përsa i përket rolit të kësaj bashkie në studimin e fizibilitetit”. Pra, shprehemi parimisht dakord që t’ju themi sa mbetje prodhon Tirana, kur është sezoni i këtyre mbetjeve, në verë ka më pak mbetje se një pjesë e madhe e qytetarëve janë me pushime. Kontributi ynë në këtë proces ka qenë për të dhënë të gjithë informacionin transparent për sa mbetje prodhohet në Bashkinë e Tiranës. Në këtë sens, e gjithë legjenda urbane që është ndërtuar mbi faktin se jam përgjigjur në emër të gjithë Qarkut, bie poshtë. Është përgjigjur vetë kryetari i bashkisë së Vorës, është përgjigjur vetë kryetari bashkisë së Kavajës”, tha Veliaj.
 
Kreu i Bashkisë u shpreh se ky fakt u provua qartë edhe në komisionin parlamentar hetimor, kur e vërteta doli qartazi.  Ai theksoi se halli personal i Sali Berishës dhe i Ilir Metës nuk janë halli i Tiranës. “Borderotë mediatike vazhdojnë dhe e përsërisin gënjështrenë, ndërkohë që të zotin e punës s’e ka pyetur deri më sot asnjë njeri. U pyeta në komision, u provua e vërteta. Sa mbaroi komisioni, filloi të rigjenerohej e njëjta gënjeshtër. Kjo është një gënjeshtër! Është e ulët, se unë i kuptoj ç’a hallesh kanë. Hallet që ka familja Berisha e familja Meta mos i pastë njëri në botë. Ua kuptoj ku e kanë e pse kërcen nga belaja gjithë kjo orkestër. Por, ky s’është halli i Tiranës”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.