Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shprehu mbështetjen për marrëveshjen e nënshkruar midis Shqipërisë e Italisë për emigrantët. Sipas saj, Shqipëria do të presë mijëra emigrantë të kapur në det dhe të transferuar atje nga autoritetet italiane, megjithëse Gjykata Kushtetuese shqiptare vendosi të marrë në shqyrtim çështjet ligjore të dokumentit duke e vonuar futjen në fuqi të saj.
Në një letër drejtuar udhëheqësve të BE-së, që filluan të enjten takimin e nivelit të lartë në Bruksel, zonja Von der Leyen vlerësoi “nismat e rëndësishme” për kufizimin e migracionit nga disa prej 27 vendeve anëtare të bllokut, përfshirë “marrëveshjen operacionale midis Italisë dhe Shqipërisë”.
“Ky rast shërben si një shembull i të menduarit jashtë normave tradicionale, mbështetur në ndarjen e drejtë të përgjegjësive me vendet e treta në përputhje me detyrimet e BE-së dhe të ligjit ndërkombëtar”, shkruan zonja von der Leyen.
Sipas marrëveshjes pesëvjeçare që u nënshkrua muajin e kaluar, Shqipëria do të strehojë deri në 36,000 emigrantë për një vit, ose rreth 3,000 në muaj, të cilët përpiqen të hyjnë në Itali pa dokumentacionin e duhur, kryesisht në udhëtime të rrezikshme përmes detit.
Marrëveshja prek emigrantët e shpëtuar ose “kapur” në det nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare. Shqipëria do t’i strehojë emigrantët në dy objekte, njëra në portin e Shëngjinit, ku do merren të dhënat personale dhe bëhet verifikimi i parë, dhe tjetra në Gjadër, ndërsa Italia do të përshpejtojë kërkesat e tyre për azil.
Në letrën e saj, Presidentja e Komisionit Evropian von der Leyen vuri në dukje se komisioni ka dhënë 473 milionë euro për të ndihmuar në forcimin e kufijve të jashtëm të BE-së, veçanërisht në rritjen e mbikëqyrjes së kufirit tokësor, përfshirë pajisjet e monitorimit elektronik dhe sistemet e reja kompjuterike.
“Investime të ngjashme nevojiten për pajisjet e mbikëqyrjes kufitare për kufijtë detarë pasi mbikëqyrja ajrore para-kufitare është thelbësore për të parandaluar mbërritjet e parregullta dhe humbjet e jetëve në det”, shkroi ajo dhe vuri në dukje se komisioni është “i gatshëm të vazhdojë të sigurojë financim të qëndrueshëm për këto iniciativa të rëndësishme”.
Në vitin 2015 kur mbi një milion emigrantë hynë në BE, blloku arriti një marrëveshje me Turqinë, duke përfshirë miliarda Euro ndihmë për strehimin e refugjatëve sirianë në territorin e saj.