Vrasja e Liridona Ademaj në Prishtinë, nënë e dy fëmijëve ka tronditur mbarë opinionin publik.

Vrasja e Liridonës, është porositur nga bashëshorti i saj, duke e bërë këtë ngjarje akoma dhe më tragjike dhe tronditëse.

Në lidhje me këtë ngjarje në Shqipëri është njoftuar një marshim. Marshimi do të mbahet të dielën në orën 11:30 nga Ministria e Brendshme drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

“Ndaj Femicidit, drejtësi për Liridonën”, është motoja e këtij marshimi.

Kujtojmë që Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.

Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbardhur ngjarjen, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit. Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutori.

Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.

Edhe vetë bashkëshorti i viktimës, ka pranuar në Policinë e Kosovës se ka porositur vrasjen e gruas.

Dyshime për rastin u ngritën menjëherë pas dëshmisë që kanë dhënë familjarët e viktimës dhe vetë Naim Murseli, në media dhe para hetuesve. Ai ndodhej në makinë bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët, por çuditërisht grabitësit e armatosur u përleshën vetëm me gruan dhe jo me kryefamiljarin.