12 Dhjetor, Tiranë- Zgjidhen drejtuesit e rinj të Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë, në Legjislaturën e tretë. Gjatë seancës së veçantë të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, ka vlerësuar kontributin e Parlamentit të Nxënësve në hartimin e politikave arsimore dhe ndërtimin e një dialogu të hapur dhe të drejtpërdrejtë midis MAS dhe nxënësve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së procesit mësimor.
“Parlamenti i nxënësve, një prej organeve konsultative më të rëndësishme të punës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, një prej strukturave që ka treguar jo vetëm qëndrueshmëri, por ka treguarnjë platformë interaktive dhe një platformë proaktive mes nxënësve dhe politikbërësve”, tha Manastirliu.
Në këtë seancë, me pjesëmarrës 140 nxënës-deputetë të shkollave nga i gjithë vendi, Ministrja Manastirliu, ka ftuar parlamentin e nxënësve për të komunikuar dhe bashkëpunuar me MAS për orientimin dhe këshillimin për karrierën të nxënësve në gjimnaze apo shkolla të drejtimit profesional. Duke folur për investimet në shkolla në drejtim të teknologjisë, Ministrja Manastirliu u shpreh: “Do të vijojmë vitin tjetër në shtrirjen e 216 laboratorëve smart në shkolla, edhe më tej me mbi 600 laboratorë smart të tjerë në strukturat arsimore parauniversitare, për të avancuar drejt edukimit digjital”,- tha Ministrja Manastirliu.
Sot u mbaj seanca e parë e legjislaturës së tretë (2023-2025) të Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë (PNSH), ku u zgjodhën organet drejtuese. Kryetare e Parlamentit të Nxënësve për Legjislaturën III u zgjodh Anastasia Zaimi, nga gjimnazi “Fuat Babani”, Bilisht. Ndërsa nënkryetar për Arsimin e Mesëm të Lartë u zgjodhën, Geart Ferhati, nga gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë dhe nënrkyetare për Arsimin e Mesëm të Ulët u zgjodh Argisa Lleshi, nga shkolla 9-vjeçare “Pjetër Arbnori”, Fushë-Arrëz.
Në këtë seancë morën pjesë dhe përshëndetën punimet Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, Ministrja e Shetit për Marrëdhënien me Parlamentin Elisa Spiropali dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi. PNSH përbëhet nga 140 anëtarë, me të drejtë anëtarësie për dy vite. Parlamenti i Nxënësve të Shqipërisë, tashmë në vitin e katërt të tij nga themelimi më 31 tetor 2019, përgjatë dy madateve 2-vjeçare ka qenë aktiv dhe mbështetës për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, në ndihmë të hartimit, zhvillimit dhe zbatimit të politikave në arsimin parauniversitar.
Home Lajme Aktualitet Zgjidhet Parlamenti i ri i Nxënësve, Manastirliu: Dialog dhe bashkëpunim i hapur...