Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Lushnje, ku një qendër tregtare është përfshirë nga flakët.

Balla shkruan se është krijuar një situatë tepër e vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme.

“Një zjarr i madh në Qendrën Tregtare Metropol në Lushnjë ka krijuar një situatë tepër të vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme. Forcat zjarrfikëse dhe policia po luftojnë për të vendosur nën kontroll situatën e rëndë”, shkruan Ballla.

Mësohet se zjarri është pikasur rreth orës 14:40. Nga të dhënat e para, dyshohet se zjarri ka nisur nga kabllot elektrike në tubat e ajrimit. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare.

Janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.

Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit”, njofton policia.