Nga Monika Stafa
Popujt në botë gjithmonë kanë luftuar për të qenë të lirë. Në kohët moderne, koncepti për lirinë ka ndryshuar. Liria është të qenit të lirë brenda shoqërisë prej kufizimit shtypës të imponuar nga autoriteti mbi mënyrën e jetesës, sjelljen apo pikëpamjet politike.
Ndërsa në teologji liria është çlirimi prej mëkatit ose robërisë shpirtërore. Por ne nuk jemi gjithmonë të vetëdijshëm për rreziqet që ajo sjell. Jo të gjithë kuptojnë apo besojnë se deri ku mund të shkojnë me lirinë e tyre. Duke mos kuptuar ata nuk mendojnë të marrin përgjegjësi për veprimet që kryejnë. Një gabim, një pengesë, një vendim i keq mund të bëjë që jeta jonë papritur të shkatërrohet. Dhe kur festa mbaron, shohim me sytë çelur se ajo që nuk kemi vlerësuar aq shumë e ndoshta e kemi parë si diçka që na është dhuruar pa lodhje, befas na është marrë…
Atë ditë marsi të vitit 2022 apo 7 tetori të 2023 ne ishim dëshmitarë se si ca forca të errëta u kthyen në vrasës para gjithë syve të botës. Pafajësia e tyre u vu në pikëpyetje me gjithë qëllimin e errët se luftonin për lirinë.
Të çfarëdo kauze.
Të çfarëdo vendi.
Të çfarëdo feje apo besimi. Dhe tani kundër gjithë kësaj pabesie ka ardhur koha për t’u bashkuar dhe për të luftuar deri në frymën e fundit. Sepse bota duket se ka ndalur papritur.
Është viti 2024. Viti më intensiv i ngjarjeve politike që mund t’i japin një drejtim tjetër planetit tonë. Dhe viti më i pasigurt që bota ka parë ndonjëherë.
Në sfond duken tre luftëra që do të trysnojnë çështjet botërore: Rusia kundër Ukrainës, në vitin e tretë të saj. Izraeli kundër Hamasit në muajin e tretë dhe Shtetet e Bashkuara kundër vetes, gati për të nisur në çdo moment.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës po shkon gjithnjë e më keq. Rusia është në avantazh në fushën e betejës. Në një tjetër avantazh gjithashtu. Atë material. Ndërsa Ukraina po humbet interesin dhe thuajse tërësisht vëmendjen ndërkombëtare. Për Shtetet e Bashkuara, në veçanti, tanimë ajo është një prioritet i largët, pavarësisht qindra mijëra viktimave dhe miliona ukrainasve të larguar.
Lodhja në betejën ushtarake, pakësimi i mbështetjes perëndimore dhe grindjet e brendshme politike më kujtojnë shpesh ditët e fundit të perandorisë së dikurshme ruse që ra, aty rreth fillimit të shek. XX. Ukrainasit sot ndihen gjithnjë e më të dëshpëruar, duke e bërë Kievin më të dobët ndaj rrezikut. Megjithëse Rusia nuk ka mundësi ta fitojë këtë betejë, Ukraina rrezikon të copëtohet de fakto këtë vit. Gjithçka shohim është që edhe ajo mund ta humbë luftën aty nga viti 2025.
Po kush e fiton luftën kësisoj? As Rusia dhe as Ukraina..Po kush?
Izraeli kundër Hamasit… një betejë tjetër që po përkeqësohet. Sulmet terroriste të Hamasit në 7 tetor tronditën Lindjen e Mesme prej delirit të një dogme fetare që ata me vetëdije duan ta besojnë. Në sfond nuk ka ende asnjë projekt të qartë për t’i dhënë fund luftimeve që ndizen herë pas here.
Ndërsa asnjë vend prej aleatëve nuk ka dëshirë të mendojë për shpërthimin e një lufte rajonale, toka vuan thatësirën e shkretëtirës duke e bërë të lartë rrezikun e përshkallëzimit. Luftimet në Gaza ka të ngjarë të jenë vetëm faza e parë e një konflikti në zgjerim këtë vit.
Cilido qoftë rezultati ushtarak, një rritje dramatike e radikalizimit të sjelljes së dy popujve është e garantuar. Hebrenjtë vetë që banojnë në Izrael, të cilët e ndjejnë veten të izoluar globalisht dhe madje të urryer pasi u përballën me dhunën më të keqe kundër tyre që nga Holokausti. Dhe palestinezët të cilët besojnë se përballen me genocid brenda territorit të tyre, pa mundësi paqeje dhe perspektivë shpëtimi.
Ndarje të thella politike mbi konfliktin shtrihen në të gjithë Lindjen e Mesme. Dhe mbi një miliard njerëz në botën muslimane, për të mos përmendur Shtetet e Bashkuara dhe Evropën të cilat tashmë gjenden mes një kaosi bindjesh, si atëherë në vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Dhe në fund sfida më e madhe e këtij viti; Shtetet e Bashkuara kundër vetes. Ndërsa ushtria dhe ekonomia e Amerikës mbeten ende jashtëzakonisht të forta, sistemi i saj politik duket më pak funksional. Zgjedhjet e vitit 2024 do ta përkeqësojnë këtë problem pavarësisht se kush fiton, duke përkeqësuar ndarjen politike të vendit, duke testuar demokracinë amerikane në një shkallë që kombi nuk e ka përjetuar në gati 150 vjet dhe më tej duke minuar besueshmërinë e SHBA-së në skenën globale.
Plot një e treta e popullsisë në glob pritet të shkojë në votime këtë vit, por zgjedhjet në SHBA do të jenë ngjarja më e rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe perspektivën ekonomike të të gjithë rruzullit. Rezultati i tyre pritet të ndikojë në fatin e 8 miliardë njerëzve.
Vendi më i fuqishëm në botë do të përballet me sfida kritike për institucionet kryesore politike të tij: zgjedhjet e lira dhe të ndershme, transferimi paqësor i pushtetit dhe kontrolli e balanca të siguruara prej ndarjes së pushteteve.
A do të mund këto halle ta lëkundin statujën bukur të lirisë në bregun oqeanik të saj?
Këtë do duhet ta presim me durim. Sepse asnjë prej këtyre tre konflikteve nuk duket se flasin për një vizion të qartë se ku duan të shkojnë. Asnjë udhëheqës i tyre nuk frymëzon. Asnjë platformë nuk duket për të sistemuar apo qoftë dhe për të pastruar këtë kaos në hartën e globit. Duket si një planet pa perëndi ku ata që qeverisin i shohin kundërshtarët e tyre si armiq të popullit dhe jo si mendje të mençura që mendojnë ndryshe.
Dhe në të tre rastet, befas kuptojmë po rrisim breza njerëzish të zemëruar. Të përgatitur për të hapur vec ‘gropa’ dhe për të luftuar për aq kohë sa na duhet.
Një fund i luftimeve? Ndoshta kur njëra ose të dyja palët të jenë shkatërruar tërësisht prej lodhjes.
Mos po shkojmë drejt një Viti Zero?
Po. Ndoshta po. Një botë pa udhëheqje globale. Aty ku Shtetet e Bashkuara, superfuqia e vetme në botë, nuk është më një polici e globit, një arkitekte e tregtisë në rruzull apo qoftë dhe një nxitëse e vlerave globale. Dhe më keq akoma asnjë vend tjetër nuk është se shfaqet i përshtatshëm për këtë rol.
Lufta na mundon të gjithëve njësoj. Të pasur dhe të varfër. Burra apo gra… Ajo nuk bën dallim kur troket në derën tënde, vec trishtimit e zbrazëtisë që lë për ata që ikin.
Por në fund ka gjithmonë shumë mënyra për t’ia dalë. Shumë e shumë për të mbijetuar… Sepse kufijtë që ndajnë jetën nga vdekja mbeten gjithmonë të paqarta. Ne asnjëherë nuk e dimë ku fillon njëra dhe ku mbaron tjetra.
Dhe kjo është beteja jonë e vërtetë. Një betejë që nuk ka fund. Ku jeta e mund natën e ku njeriu u gjend në mes. Si dëshmitari i vetëm i saj. Ai triumfoi duke mbetur gjallë sepse nuk u largua nga ajo fushëbetejë.