Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër Benet Beci, kanë inspektuar sot Repartin e Kirurgjisë, pranë Spitalit të Shkodrës, i cili një natë më parë u përfshi nga flakët. Drejtori i Spitalit Senad Halluni, deklaroi se situatë është totalisht nën kontroll dhe pritet që brenda dy ditësh, i gjithë reparti të jetë në kushte optimale, ndërkohë edhe pacientët kanë treguar se shërbimi ka qenë në kohë rekord.

Një natë më parë reparti i kirurgjisë u përfshi nga flakët, ndërkohë që ekspertiza ende nuk ka dalë në një raport përfundimtar por dyshohet se zjarri ka ardhur nga një karikues celulari, duke bërë që zjarri të përhapet në të gjithë dhomën e mjekut roje, i cili në momentin e zjarrit ka qenë në operacion.

“Në Spitalin Rajonal të Shkodrës bashkë me Kryetarin e Bashkisë Benet Beci pamë nga afër ambientin ku mbrëmë u përfshi nga zjarri një nga dhomat e mjekëve në pavionin e Kirurgjisë, i cili u vu nën kontroll në një kohë rekord dhe shkaqet po hetohen. Tashmë çdo gjë është kthyer në normalitet dhe pacientët e qytetarët marrin të gjitha shërbimet e nevojshme. Faleminderit personelit mjekësor dhe forcave zjarrfikëse për reagimin në kohë që kjo situatë të kalonte pa probleme për pacientët e stafin mjekësor”, tha Koçiu. Drejtoria e Spitalit të Shkodrës ka marrë masat për evakuimin e shpejtë të pacientëve dhe falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve është bërë i mundur edhe izolimi i zjarrit. Një natë më parë kryetari i bashkisë Shkodër, falenderoi të gjithë trupën e zjarrfikësve për ndërhyrjen e shpejtë dhe efikase, për izolimin e zjarrit.