I pyetur nga gazetari Arbër Hitaj në “Studio Live” në Report Tv, nëse do ta njihte Argita Malltezin në krye të Rithemelimit, si trashëgimtare të Berishës, deputeti Saimir Korreshi nuk e mbajti dot të qeshurën kur tha se ish-kryeministri ka deklaruar se edhe nëse do jetë prapa hekurave kryetar do jetë vetë.
Ai shtoi se kushdo që kërkon të kandidojë në një proces ku marrin pjesë të gjithë demokratët, është i mirëpritur. Por theksoi se më e mira për PD-në është që as Basha dhe as Berisha të mos jenë në krye.
“Ju e keni dëgjuar se zoti Berisha e ka thënë se betejën time do ta vazhdoj edhe nëse do jem prapa hekurave. Kështu që ua ka prerë riskun të gjithë të tjerëve (qesh). Nëse do ketë proces ku përfshihen demokratët kushdo është I hapur të kandidojë.
Nëse do e votojë shumica e demokratëve nuk ka asnjë pengesë. Bëhet fjalë për një process gjithëpërfshirës ku do të jenë të gjithë demokratët e Shqipërisë. E mira e PD është që Berisha dhe Basha të mos jenë më në krye të PD por t’I hapin rrugë një figure të re mashkull apo femër qoftë”- tha Korreshi.