Nga Hermes Kafexhiu

A e mbani mend kur keni qenë të vegjël, se ata që dominonin më tepër në jetën e komunitetit në ato lagjet tona modeste me arkitekturën lindore, ishin ata fëmijë të cilët nuk kishin kërkesë llogarie nga prindërit, që nuk i thërriste kush nga dritarja, që nuk i ndalonte askush, kur dilnin nga këshillat e përhershme prindërore. Këta dominuan për disa vite lagjet, klasat, shkollat.

Po çfarë ndodhi pas disa viteve, rendi në mënyrë instiktive dhe në mënyrë të përhershme kthehet përmbys menjëherë. Edhe ata profile që kanë arritur të kuptojnë vazhdimsinë bëjnë dallimin me ata që mbetën pengje të historisë.

Sot ata fëmijë të dikurshëm janë të izoluar në provincë apo në lagjet e tyre dhe enden nën frymën dhe kujtimet e sukseseve të tyre të fëmijërisë, duke thënë për disa nga ata, që s’ka qenë aq të zotë sa ata dikur, por që tani janë më realizuar, “se a e mbani mend çi punonim këtij ne, ky tani është kështu e ashtu”.

A nuk mendoni se ky është dhe një nga problemet e mëdha të shoqërive në botë ?

Lindja e Mesme vijon të mbroj lavdinë e saj të hershme të historisë, duke mos bërë asnjë hap përparimi për tju përshtatur botës në të tjera rregulla. Ajo është ende e pa shkëputur nga historia e saj, është peng i madh i historisë së saj, sa me një logjikë të thjesht ka ngatërruar kulturën e saj të madhe me lavdinë e historisë.

Edhe kjo të ngjet pikërisht me atë proverbën që sot është realitet dhe në ndonjë sallë gjyqi të Europës, ku gjeneralët e lavdishëm të luftës mendojnë se historia e tyre e sjelljes së lirisë do t’i bëj ata, jo fajtorë për atë që ndodhi pas çlirimit.

Sigurisht që duhet të ketë një dallim midis gjuhës së konfliktit dhe gjuhës së debatit, gjuhës së pajtimit dhe gjuhës së tolerancës dhe mbi të gjitha duhet të ketë një dallim midis ruajtjes së parimit dhe veprimit pragmatist.

Pikërisht kjo pyetje ndez botën dhe sot dhe ndoshta prej shumë shekujsh, pikërisht që kjo pyetje që nuk flitet dhe aq shumë sa për të gjetur zgjidhje është dhe problemi i madh i njerëzimit sot.

Etërit duan të ruajnë historinë e tyre dhe pengojnë binjtë që të vendosin rregulla të reja. Kultura e vjetër e informimit tenton të intimidoi teknologjinë me pasojat që lë pas. Liria që vinte dikur përmes pozitës dhe autoritetit sot ndihet inferiore që dikush i panjohur merr njohje, ndërkohë askush nuk mendon se kjo ndonjëherë mund të qëlloj dhe pozitive sepse mund të jetë dhe zbuluese.

Në këtë agorë të madhe të shoqërive të sotme ngërçet janë më të sofistikuara, mungesa e përballjeve nxit kujtimet e historisë të luftojë për dinjitetin dhe nga ana tjetër përballja nxit krenarinë e vazhdimsisë për të treguar se s’mund të mbetet peng nga e shkuara.

A nuk do të ishte zgjidhja midis përballjes dhe pajtimit për të ecur në një horizont, historia dhe vazhdimësia pa u ndarë në histori të ndryshme. Fundja vazhdimësia e sotme e ka të pashmangshme të jetë histori e dikurshme nesër.