“Futbolli luhet për tifozët”. Ky slogan duket se e ka humbur funksionin në vitet e fundit në futbollin shqiptar. Përjashto ndeshjet e fundit të Kombëtares dhe deri diku ndonjë derbi mes Partizanit dhe Tiranës, që sjellin tifozët në stadium, pastaj ndeshjet e tjera ofrojnë një zbrastësi.
Madje në disa raste kot paguajnë edhe faturën e energjisë elektrike, kur luhet në dritat e prozhektorëve, pasi tifozë nuk ka, si dhe cilësia e argëtimi në fushë është në nivelin në mesatar. Sirenat e alarmit për zbrazjen e stadiumeve kanë rënë prej kohësh, por tani situata është vërtetë alarmante.
Departamenti i Garave në FSHF organizoi sot një takim me klubet e kategorisë “Abissnet Superiore” ku u diskutua në lidhje me strategjitë që mund të përdoren për të përmirësuar produktin dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit. Në takimin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” morën pjesën anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Pano Xhixho, drejtori i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, Drejtori i Departamentit PR në FSHF, Fatjon Kodra, drejtues dhe zyrtarë të marrëdhënieve me publikun dhe marketingut të klubeve.
Zyrtarët e FSHF-së theksuan objektivin dhe dëshirën për të pasur sa më shumë promovim dhe sa më shumë marketing të kampionatit elitar, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumeve dhe të rritet interesi publik për ndeshjet e “Abissnet Superiore”.
Gjithashtu u fol edhe për strategjinë e përfshirjes së akademive dhe futbollistëve të rinj në skenën e futbollit profesionist si dhe për të ndërtuar strategji edhe për afrimin e vajzave dhe grave në stadium nëpërmjet fëmijëve dhe familjarëve që luajnë futboll. Mbledhja vijoi me një diskutim të frytshëm me përfaqësuesit e klubeve që folën për problematikat që hasin në përditshmëri dhe ndanë idetë për mënyrën dhe strategjitë që mund të implemetohen për të përmirësuar vlerën e produktit dhe për të rritur cilësinë e futbollit.