Nga Alba Malltezi

Është mbresëlënëse të lexosh 32 faqet e një trupi gjykues të Gjykatës së Strasburgut dhe për herë të parë, fjali pas fjalie, të perceptosh përpjekjen e 8 anëtarëve të një gjykate , të dëshirojnë të vijnë në krye të një të vërtete. Të ndjesh logjikshëm renditjen e fakteve, gabimeve, mbulimeve, manipulimeve, deklarimeve të një qeverie si ajo shqiptare e 2011, e vendosur të punonte kundër të vërtetës dhe kundër jetës dhe të drejtës për qytetarët e saj.

Ta themi hapur: Në Shqipëri nuk jemi mësuar të lexojmë shtjellime kaq të qarta, të thjeshta dhe të kuptueshme. Jemi mësuar të lexojmë shtjellime gjykatësish që në 99 përqind të rasteve janë justifikime për të shpëtuar keqbërës të ndryshëm. Janë fjali që hedhin tym të zi mbi të vërtetën dhe kjo na ka lënduar.

Është mbresëlënëse të lexosh gjithashtu në krye dhe në fund të vendimit të Gjykatës së Strasburgut tre emra: Rajmonda Nika, ditëlindja, 1984 Lezhë, Amelia Nika datëlindja 2009 Lezhë dhe Mentila Nika, ditëlindja 2010 Lezhë.