Autoriteti i Mediave Audiovizive ka organizuar sot, tryezën e dytë me temë, “Matja e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë drejtues të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg, në këtë takim është rënë dakort për ngritjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë me 9 anëtarë dhe formulën e krijimit të këtij Komiteti.

Në hapje të takimit, Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi ka shprehur edhe një herë rëndësinë e një procesi të saktë dhe të besueshëm të matjes së audiencës, si një instrument i domosdoshëm për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, por edhe për forcimin e transparencës së këtij tregu. Ajo ka theksuar se kjo është koha që ky proces të nisë dhe që më në fund edhe Shqipëria të hyjë në radhën e vendeve që e kanë përmbushur këtë detyrim.

Siç u vendos në tryezën e parë, të organizuar më 15 janar, takimi ka nisur me shembuj të marrë nga vende të tjera të rajonit dhe Europës, mbi metodologjinë e zbatuar në këto vende, në mënyrë që të zgjidhet varianti më i mirë dhe më i përshtatshëm për tregun audioviziv shqiptar. Sekretarja e Përgjithshme e AMA-s, znj. Ronelda Rapollari ka prezantuar për të pranishmit metodologjnë e përdorur në Bullgari, Austri, Spanjë, Maqedoninë e Veriut dhe Turqi.

Përtej specifikave organizative për secilin vend të studiuar, veçoritë e përbashkëta për të gjithë janë:

-vullneti i të gjithë (ose shumicës) të sektorëve të industrisë për të punuar së bashku për të prodhuar një studim të përbashkët të industrisë.
-fillimisht është ngritur një Bord Themelues/Grup fillestar Pune, i cili ka përcaktuar mënyrën e ngritjes dhe organizimit vendimmarrës dhe financiar të Komitetit të Përbashkët të Industrisë (KPI). Pjesë e Bordit Themelues me të drejtë vote, kanë qenë në shumicën e rasteve televizionet me shtrirje kombëtare dhe shoqata përfaqësuese të kompanive reklamuese dhe të kompanive të marketingut.

-Pas ngritjes dhe regjistrimit të Komitetit të Përbashkët, të njëjtët anëtarë të Bordit Themelues janë bërë pjesë edhe e Komitetit.
-Vendimmarrja e Komiteteve të Përbashkët funksionon kryesisht sipas parimit një anëtar/një vote, me shumicë të thjeshte dhe te cilësuar. Në të njëjtën formë merren vendimet edhe në strukturat e Bordit drejtues të KPI-së.
-Rregullatori nuk ka qenë pjesë e Komitetit të Përbashkët me te drejte vote.

Pas diskutimesh për metodologjinë që do të zbatohet, palët kanë rënë dakort për krijimin e Komitetit të Përbashkët të Industrisë, si një ent organizator e vendimmarrës i procesit të matjes së audiencës. Formula e pranuar është me 9 anëtarë, ku bëjnë pjesë: përfaqësues të 3 televizioneve private me licencë kombëtare, përfaqësues të 3 televizioneve rajonale, Televizioni Publik dhe dy anëtarë nga shoqata e agjencive të reklamave.

Formula e pranuar gjëresisht do të zbatohet pas kohës së kërkuar nga përfaqësuesit e televizioneve rajonale për të studiuar shembujt e marre nga vende e rajonit dhe pasi të vendosin mes tyre për mënyrën e përzgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.

Në cilësinë e autoritetit rregullator të pavarur, AMA do të vazhdojë rolin e vet nxitës deri në krijimin e KPI si dhe duke dhënë ndihmën e vet, sipas nevojës, për metodologjinë që do të zbatohet për matjen e audiencës.

Vlerësimi i shikueshmërisë është tregues i sasisë dhe përbërjes së audiencës për programet televizive. Me këtë informacion, OSHMA-të mund të rregullojnë përmbajtjen e programeve të tyre dhe oraret e transmetimit, në përgjigje të reagimit të audiencës. Realizimi i matjes së audiencës është domosdoshmëri për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, për forcimin e transparencës në tregun audioviziv, rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive etj.