Autoriteti i Mediave Audiovizive ka organizuar sot, tryezën me temë, “Matja e audiencës në tregun audioviziv shqiptar dhe modalitetet për realizimin e këtij procesi”. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të nivelit të lartë drejtues të operatorëve që prodhojnë përmbajtje apo programe audiovizive dhe të agjencive të reklamave që operojnë në treg, në këtë takim është shtruar nevoja e nisjes së procesit të matjes së audiencës, si një domosdoshmëri për mbarëvajtjen e tregut audiovizv në vend.

Vlerësimi i shikueshmërisë është tregues i sasisë dhe përbërjes së audiencës për programet televizive. Me këtë informacion, OSHMA-të mund të rregullojnë përmbajtjen e programeve të tyre dhe oraret e transmetimit, në përgjigje të reagimit të audiencës. Realizimi i matjes së audiencës është domosdoshmëri për realitetin e tregut audioviziv shqiptar, si një instrument i rëndësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publikun e gjerë, për forcimin e transparencës në tregun audioviziv, rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive etj.

Nevoja për realizimin e Matjes së Audiencës është theksuar edhe në raportin e fundit të Progresit për Shqipërinë, të Bashkimit Evropian, për vitin 2023, ku theksohet se një nga çështjet shqetësuese, për sa i përket lirisë së medias në vend, është përqendrimi i tregut dhe audiencës, si dhe mungesa e transparencës së financimit të medias. Në këtë kuadër, është detyrë e Shqipërisë, angazhimi për kryerjen e procesit të matjes së audiencës.

“Gjithashtu, pas procesit screening të Tetorit dhe sipas Udhërrëfyesit të Shtetit të së Drejtës 2024-2030, dokument i politikës shtetërore të Shqipërisë, i miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave në mes të Dhjetorit që lamë pas, për AMA-n është lënë detyrë adresimi i çështjes së përqendrimit të tregut mediatik, rritjes së transparencës, rregullimit të aspekteve të pronësisë së medias dhe shtrirjes së audiencës”, ka thënë Kryetarja e AMA-s, znj. Armela Krasniqi në fjalën e hapjes së këtij aktiviteti. “Sipas Udhërrëfyesit, angazhimi i AMA-s si autoritet rregullator, është nisja këtë vit, pra gjatë 2024, e procesit të matjes së audiencës duke ndihmuar operatorët që prodhojnë përmbajtje apo programe audio dhe audiovizive, në sigurimin e një procesi transparent. Këtë AMA do ta bëjë duke kontribuar në metodologjinë dhe planin për të ngritur dhe zbatuar sistemin që e realizon këtë proces”.

Në kuadër të kësaj, AMA ka përgatitur edhe projekt-propozimet për ndryshimet përkatëse në ligjin e vet organik duke përfshirë konceptin e Matjes së Audiencës. Aktualisht ndryshimet e propozuara janë në fazë konsultimi publik.
“Në tregun shqiptar audioviziv operojnë 136 OSHMA, që prodhojnë përmbajtje apo programe audio dhe audiovizive, për një popullsi prej rreth 2.9 milion banorësh”, ka thënë Krasniqi. “Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se, në këtë larmi ofertash mediatike, matja e audiencës është një domosdoshmëri, si një insturment i pazëvendësishëm për identifikimin e shtrirjes së ndikimit mediatik të OSHMA-ve në publik, si një mjet për forcimin e transparencës në tregun audioviziv shqiptar, por edhe për vetë rritjen e shumëllojshmërisë së shërbimeve audiovizive. Matja e audiencës është një domosdoshmëri sepse më shumë se askujt tjetër i shërben vetë operatorëve për t’u treguar sasinë dhe përbërjen e audiencës që ndjek programacionin e tyre, trendet dhe shijet e tyre, kohën e duhur dhe prespektivën e përzgjedhjeve për të ardhmen. Pra është një proces jashtëzakonisht i dobishëm në kontekstin afatmesëm dhe afatgjatë të biznesit mediatik”.

Gjithashtu, Ronelda Rrapollari, Sekretare e Përgjithshme e AMA-s, ka prezantuar për të pranishmit dy modele të matjes së audiencës, të realizuara në vendet fqinjë dhe afër me Shqipërinë, nga pikëpamja gjeografike, por edhe me realitete të ngjashem ekonomiko-sociale, respektivisht në Maqedoninë e Veriut dhe Kroaci. Maqedonia e Veriut, i kreu ndryshime e nevojshme ligjore, në funksion të matjes së audiencës, në vitin 2014. Kroacia e nisi matjen e audiencës në vitin 2019. Në të dyja rastet nga procesi i konsultimit, ka rezultuar se mënyra më e mirë për të organizuar procesin e matjes të audiencës ishte formimi i Komitetit të Përbashkët të Industrisë, i cili përcakton nivelin e administrimit të burimeve të financimit prej OSHMA-ve pjesëmarrëse si dhe zbatimin e metodologjisë së standardizuar të matjes dhe vlerësimit, me qëllim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Sigurimi i shërbimit për matjen e audiencës në këto vende ka rezultuar me përmirësime të dukshme në cilësi, zgjerimin e panelit për matjen e shikueshmërisë (TAM) nga 810 në 1000 familje, integrimin e zgjidhjeve të reja teknologjike, si dhe vendosjen dhe respektimin e standardeve më të larta të performancës, të miratuara në mënyrë të përbashkët nga Komitetet e Përbashkëta të Industrisë.

Në cilësinë e autoritetit rregullator të pavarur, AMA ka një rol mbështetës në procesin e matjes së audiencës. Autoriteti do të hartojë metodologjinë e këtij procesi.
“Aktualisht, AMA po hulumton praktikat më të mira të ndjekura në disa vende të BE-së dhe të rajonit ku është kryer paraprakisht matja e audiencës”, ka thënë Krasniqi. Nga përvojat e studiuara deri tani, rezulton se operatorët e tregut, në dakordësi me njëri-tjetrin, duhet të krijojnë një strukturë të përbashkët organizative për përzgjedhjen e kompanisë që do të realizojë matjen e audiencës, me qëllim sigurimin e një procesi sa më transparent dhe të besueshëm për palët e përfshira. AMA do të luajë një rol mbështetës duke kontribuar me metodologjinë e këtij procesi. Jemi këtu dhe të hapur për çdo mbështetje të nevojshme deri në fillimin e zbatimit të kësaj metodologjie nga vetë operatorët mediatik audioviziv”.

Më tej takimi ka vazhduar me diskutime mbi mundësitë e realizimit të procesit të matjes së audiencës dhe në fund u ra dakort krijimi, si fillim, i një grupi pune, anëtarë të të cilit do të jenë të gjithë operatorët audiovizivë dhe agjencitë e reklamave të pranishëm në takim, si paraprijës i Komitetit të Përbashkët të Industrisë. AMA në këtë proces do të ketë rol koordinues dhe në takimin e radhës do të sjellë modele të marra nga vendet e tjera të Rajonit në mënyrë që operatorët të mund të zgjedhin modelin më të mirë dhe më të përshtatshëm për ta, për të vazhduar me tej me modalitetet e realizimit të matjes së audiencës.