Në drejtimin e kryetarit Nasip Naço Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme zhvilluar online mori në shqyrtim në parim projektligjin “Për Dhënie Amnistie”.
I ftuar për të bërë prezantimin e projektligjit në komision ishte Klajdi Karameta zëvendësministër në ministrinë e Drejtësisë. Zëvendësministri Karameta në nisje të fjalës së tij sqaroi se, ky projektligj është hartuar në funksion të arritjes së qëllimit të dënimit, bazuar në të drejtën e trajtimit njerëzor dhe të respektimit të dinjitetit të individit, arritjes së ri-integrimit dhe të rehabilitimit social, ndryshimeve pozitive në jetën e të dënuarve, si dhe trajtimin e tyre sipas standardeve evropiane në sistemin penitenciar.
Karameta në fjalën e tij, sa i përket numrit të të dënuarve që do të përfitojnë prej amnistisë bëri me dije se: “në institucionet e vuajtjes së dënimit sot janë 5761 të burgosur dhe të paraburgosur. Nga amnistia pritet të përfitojnë rreth 600 prej tyre” .Sa i përket llojit të veprave penale të përjashtuara nga amnistia Karameta theksoi se, projektligji përjashton nga fusha e tij e zbatimit kategoritë e veprave penale që parashikojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore ose të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar.
Më tej zëvendësministri iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të komisionit lidhur me risitë që shoqërojnë projektligjin në fjalë, që konsistojnë pikërisht në parashikimin e lehtësirave në kuadër të përcaktimit të kritereve për përfitimin e amnistisë, për shtetasit e mitur dhe femra. “Përcaktimi i kritereve lehtësuese për përfitimin nga amnistia, për të miturit dhe gratë, bëhet jo vetëm nisur nga qëllimet e humanizmit dhe të ofrimit të mbështetjes më të lartë për këtë kategori, por edhe sepse, për shkak të pozitës më vulnerabël në shoqëri, pavarësisht se janë ndëshkuar si autorë, në fakt kanë qenë dhe vetë viktima të veprave penale, duke u përdorur nga elementet kriminale. Për këtë arsye, meritojnë një mundësi më shumë për një ri-integrim më të shpejtë” tha Karameta.
Shqyrtimi i projektligjit do të vijojë në mbledhjet e ardhshme të komisionit.