Që në ditët e para të 2024, Shqipëria është renditur në krye të destinacioneve kryesore turistike të këtij viti. Mes agjencive të njohura ndërkombëtare, e radhës që liston vendin tonë si nga një vendet që duhet vizituar gjatë këtij viti është Agjencia Italiane e lajmeve ANSA.

Në një shkrim ku renditen 10 vendet të cilat nuk duhen humbur në 2024, Shqipëria bën pjesë mes disa prej emrave të njohur dhe me traditë në turizëm si Spanja, Austria apo edhe Japonia dhe Australia.
ANSA shkruan se ujërat e kaltra, gjelbërimi i shumtë dhe çmimet e ulëta e kanë bërë Shqipërinë një destinacion tërheqës veror.

“Në vitin 2024 Shqipëria do të mbetet një destinacion trend për pushime në bregdet, në veçanti Vlora, një qytet port në jug të vendit, është ndër vendet e zgjedhura si bazë për të zbuluar më pas plazhet më të bukura”, thuhet në shkrim. ANSA shkruan se Vlora ofron hotele dhe klube buzë detit të mbushura me palma ku mund të argëtohesh. Laguna e Nartës përmendet gjithashtu si vend ku mund të rigjenerohesh me një udhëtim me varkë për në gjirin e vogël të Gramës në Karaburun me qëllim admirimin e peizazheve të bukura. Turistët italianë ishin surpriza e verës së kaluar.

Sipas të dhënave zyrtare deri në Tetor ishin mbi 812 mijë turistë që kaluan Adriatikun për të vizituar vendin tonë. Italianët ishin të parët pas vizitorëve nga Kosova për numrin më të madh të hyrjeve me një rritje me mbi 126%. Bregdeti i jugut ishte më i vizituari prej tyre duke nga Vlora deri në Ksamil, por pa lënë mënjanë as Durrësin dhe Tiranën.