Arben Ahmetaj nuk ka më mandat deputeti. Ish-zëvendëskryeministri tashmë në arrati prej gati gjashtë muajsh mbushi mungesat që parashikon Kushtetuta për të humbur mandatin e deputetit.
“Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon pa arsye mbi 6muaj rresht në Kuvend”, thotë Kushtetuta.
Hera e fundit që Arben Ahmetaj u paraqit në parlament ka qenë seanca plenare e 6 korrikut, dhe të shtunën që lamë pas u plotësua harku kohor prej gjashtë muajsh. Por kush do ta zëvendësojë atë?
Sipas listës së kandidatëve për deputetë të partisë socialistë që ka depozituar në KQZ për parlamentaret e 25 prillit 2021, në radhë është Dallëndyshe Bici, drejtoresha e Kadastrës. Emërimi i Bicit në këtë post u bë nga vetë Edi Rama pak muaj më parë, punën e së cilës vetë kryeministri e ka vlerësuar me nota pozitive.
Në rast se Bici nuk pranon mandatin e deputetes, atëherë fati do t’i buzëqeshë Plarent Ndrecës, i cili në bazë të votave preferenciale është i renditur i 22-i në radhë. Më parë Ndreca ka shërbyer në qeverisjen e socialistëve si sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe asaj të punëve të brendshme. Por cilido që do të pranojë mandatin e deputetit, një gjë është e sigurt, socialistët do të kenë një votë më shumë në parlament pasi Ahmetaj prej 6muajsh vijon arratinë i akuzuar për aferën e inceneratorëve.