Një gëzim të madh në natën e ndërrimit të viteve pati dhe për fëmijët e sëmurë në pediatrinë e spitalit të Shkodrës, ku një grup të rinjsh të veshur si babagjyshë shpërndanë dhurata për të vegjlit.
Pak minuta përpara ndërrimit të viteve, në dyert e pediatrisë së Shkodrës, trokiti babagjyshi.
Gëzimin dhe atmosferën për vitin e ri, një grup të rinjsh vullnetarë të qytetit vendosen ta ndajnë më fëmijët e sëmurë në spital. Ata shpërndanë dhurata dhe festuan së bashku.
Për të rinjtë, festën duhet ta përjetojnë edhe vogëlushët të cilët për shumë arsye e kanë të pamundur.
Në këtë moment festiv, në krye të detyrës janë mjekët dhe infermieret të cilët vlerësojnë gjestin e të rinjve.