Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherësh zëvendëskryeministre, Belinda Balluku inspektoi së bashku me kreun e ARRSH-së, Evis Berberi punimet në kantierin e aksit të ri rrugor Thumanë-Kashar, ku ka nisur procesi i asfaltimit. Ministrja theksoi se ecuria e punimeve ka arritur në 65 %.
Ky aks rrugor, 21 kilometra i gjatë, do të ketë 11 ura, 6 nënkalime dhe mbi 100 vepra të tjera arti. Balluku theksoi se do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e automjeteve, në një prej zonave me fluksin më të dendur të qarkullimit.
“Ne themi krenarisht se kjo është një vepër e rëndësishme pasi do të zhbllokojë pjesën më të madhe të trafikut të krijuar sidomos gjatë verës, që është pjesa e Fushë-Krujës dhe nga ana tjetër, edhe lidhjen me aeroportin e Rinasit. Por ne gjithashtu ndihemi mirë për këtë projekt sepse është një autostradë e kategorisë A, me një gjerësi 11.75, e cila do të ketë dy korsi shpejtësie, një korsi tre metra emergjence, dhe ka edhe një pjesë të pankinës në anë.”, tha ministrja.
Sakaq, kreu i ARRSH-së shtoi se kjo është e para autostradë në Shqipëri, e cila do të jetë e kufizuar me gardh.
“Duke qenë një autostradë e kategorisë A, është parashikuar që brenda standardit të ndërtohet një gardh rrethues nga të dyja krahët në mënyrë të tillë që të mos lejojë aksesin e askujt për të rritur sigurinë e lëvizjes dhe për të rritur shpejtësinë e lëvizjes.”, tha Berberi.