Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Ministrin e Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Kreu i Shtetit bisedoi me kryediplomatin turk për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet rajonale.

Presidenti Begaj vlerësoi se Shqipëria dhe Turqia janë partnere strategjike dhe kanë një miqësi tradicionalisht shumë të mirë.

“Bashkëpunimi shqiptaro-turk, në të gjitha fushat, është një bashkëpunim i frytshëm” u shpreh ai.

Presidenti i përcolli Ministrit të Jashtëm Hakan Fidan falënderimet për ndihmën që Turqia i ofroi Shqipërisë në procesin e rindërtimit pas tërmetit, por edhe për investimet e tjera në vendin tonë. Turqia është ndër partnerët ekonomikë më të mëdhenj në Shqipëri dhe investimet turke kanë të punësuar më shumë se 15 mijë shqiptarë në vendin tonë.

Për sa u përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti Begaj vlerësoi: “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla të rëndësishme për politikën shqiptare, që garantojnë paqe, siguri, stabilitet demokratik në rajon, si dhe janë parakushte për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian”.

Presidenti e vlerësoi rolin dhe kontributin e Turqisë në Ballkanin Perëndimor si një partner i natyrshëm e historik për paqen dhe sigurinë e rajonit.

Gjithashtu, ai e vlerësoi mbështetjen që Turqia jep për integrimin e Kosovës në organizmat rajonale dhe globale, si dhe lobimet e saj të fuqishme për njohjen e mëtejshme të Kosoves.