Nga Mero Baze

Berisha kishte më një mënyrë ta maskonte copëzimin e mëtejshëm të fraksionit të tij pas urdhrit të arrestit. Dhe e vetmja mënyrë ishte të mos i vinte në provë demokratët nëse ishin me të, apo kundër tij, duke u bërë apel tek rrugica e pallatit.

Nëse ai do të kishte pranuar masën e parë të sigurisë ë ishte thjeshtë detyrim paraqitje situata do ishte dhe më e mirë. Ai do të vazhdonte të shkonte në selinë e partisë dhe do të vazhdonte retorikën e tij politike pa i vënë ata në provë dhe pa u kuptuar nëse ishin pro apo kundër tij.

Më te lehtë do tua bënte dhe grupeve të tjera që as kanë guximin ti bashkohen as kanë lirinë të ndahen prej tij.

Por ai vendosi të provokonte deri në fund SPAK dhe Gjykatën duke thyer masën e arrestit me qëllim që ta mbyllnin në arrest shtëpie. Kjo gjë i jepte atij disa privilegje për moshën që ka , pasi në këtë dimër do të rrinte brenda, do të ishte më ngrohtë dhe nuk do të torturohet në takime dilte rrugëve. Plus është dhe gripi sheshit.
Nga ana tjetër është dhe një justifikim për shuarjen e revolucionit, pasi udhëheqësi është në arrest shtëpie.

Por Berisha i shkelmoi dhe këto “privilegje’ që ja jepte arresti në shtëpi.

Ai urdhëroi që çdo ditë të grumbulloheshin tek rrugica e pallatit.

Kjo në fakt i futi në krizë të gjithë, përfshi dhe vet Berishën.
Maksimumi i njerëzve që mblidhen tek pallati i tij në ditën më të mirë ka qenë 44 vet dhe në ditë të këqija 7 deri 10 vetë. Të gjithë janë rrogëtarë të partisë, ose funksionarë partie në rrethe që vijën sipas një grafiku që ua cakton Flamuri.
Thuajse 90 për qind e personaliteteve të opozitës grupeve parlamentare dhe figurave të njohur kanë refuzuar të shkojnë tek seanca e lutjeve në rrugicën e pallatit.

Kjo gjë e rrudhi dhe më tepër fraksionin e Berishës. Kjo skemë e Berishës shkatërroi gjithë mundin e tij për ti tërhequr nën një sigël, deputetët që u larguan nga Basha nën drejtimin e Gazmend Bardhit, si dhe deputet të tjerë që nuk janë me Bashën.
Por duket se po rrudh dhe grupin e besnikëve të tij, të cilëve u është kthyer në një torturë psikologjike shkuarja tek rrugica.

Rituali i shkuarjes tek rrugica, nxori në shesh mbështetjen minimale të gjithë kohërave për Sali Berishën, një rekord i zi, të cilin ai mund t’ia kursente vetes sikur të ishte treguar pak i zgjuar në pranimin e masës së sigurisë në fillim ose në shmangien e ritualit të mbledhjes në rrugicë çdo ditë.

Kështu të paktën të gjithë do bashkoheshin në deklarata pro tij, dhe do të dukeshin sikur ishin bashkë.

Por duke i detyruar ti vijnë poshtë pallatit, ai i detyroi ta braktisnin dhe ta kthenin ritualin e rrugicës, në një torturë psikologjike për Sali Berishën, dhe ata që shpresonin se burgosja e tij në shtëpi, do varroste pushtetin.

Ai i kishte të gjitha shanset që duke u burgosur vet të çlironte opozitën dhe ta linte të bashkohej jashtë tij. Por ai zgjodhi që përmes ritualit të rrugicës ti mbante besnikët e tij të fundit aty, për tu varrosur bashkë me të. Duke u treguar çdo mbasdite kufomën e tij politike, gjithë atyre që mendonin se ai është i gjallë dhe i fort.