Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi thotë se mungesa e ish kryeministrit Sali Berisha në parlament, pasi është nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” do ta qetësojë situatën në parlament.

Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Klosi u shpreh edhe në lidhje me deklaratën e Gazment Bardhit, i cili tha se aksioni i opozitës do të vazhdojë. Klosi nënvizoi se Bardhi nuk ka forcë që ta mbajë të gjithë kampin opozitar në rrugicë.

“Nuk keni pse më pyesni mua. Ne do të shkojmë të hënën në parlament. Do të doja dhe shpresoj shumë që mungesa e “non gratës” në parlament do ta qetësojë situatën. Nuk besoj se ka forcë që ta mbajë të gjithë kampin opozitar në rrugicë. Nuk më takon të gjykoj.

Do të doja të kishim një jetë parlamentare, të debatojmë. Ne na kanë votuar shqiptarët për të qenë në mazhorancë, ata i kanë votuar për të bërë oponencë. Nëse alternativa është të qëndrosh në rrugicë, kjo është e vështirë që ta gjesh përgjigjen nga kampi i së majtës se çfarë do të ndodhë në kampin e së djathtës”, theksoi ai.