Dartford, një qytet afër Londrës ka votuar në përputhje me fituesin e çdo sondazhi që nga viti 1964. Nisur nga ky fakt , shkruan agjencia e lajmeve Reuters kryeministri britanik Rishi Sunak duhet të shqetësohet pasi banorët e këtij qyteti po bëhen disa nga parashikuesit më të mirë të zgjedhjeve të përgjithshme.

Sondazhet dhe intervistat me disa dhjetëra votues në këtë zonë tregojnë se konservatorët ka të ngjarë të humbasin kontrollin e vendit.

Në rrugët e këtij qyteti, ku pensionistët dalin nga supermarket dhe nënat i shtynin të vegjlit e tyre me karroca nëpër rrugët kryesore, e vetmja gjë për të cilën pothuajse çdo votues bie dakord është se Britania e Madhe nuk është në ditët e veta më të mira.

Sondazhet e opinionit tregojnë se partia e kryeministrit Sunak është pas Partisë Laburiste të opozitës me rreth 20 përqindjeje.

Pakënaqësia e banorëve në qytetin Dartford është një ogur i zi për një parti politike që synon të fitojë zgjedhjet e ardhshme diçka që Sunak duhet ta kishte mësuar kur e vizitoi dy herë qytetin verën e kaluar.

Banorët e qytetit përpiqen të shpjegojnë pse zona ka pasqyruar rezultatet në nivel kombëtar në mënyrë më të mirë të mundshme se kudo tjetër në Britaninë e Madhe.

Ata tregojnë se çfarë i shqetëson më tepër aktualisht. Joanne Godwin, një asistente personale dhe me bindje konservatore thotë se i është dashur të shkurtojë shpenzimet e Krishtlindjeve për ushqim dhe dhurata, sepse ato janë bërë shumë të shtrenjta.

“Padyshim që kriza e kostos së jetesës, ne jemi një familje me katër anëtarë, dy fëmijë të që janë në shkollë, dhe dy të tjerë punojnë në punë të mira me kohë të plotë dhe prapë e kemi vërtet të vështirë të blejmë, gjërat janë rritur kaq shumë.”

Familjet britanike kanë pësuar rënien më të madhe të standardeve të jetesës në historinë moderne që nga zgjedhjet e fundit në 2019 pas pandemisë së koronavirusit, agresionit rus në Ukrainë dhe daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

“Kostot e jetesës po rriten, veçanërisht faturat. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ti duhet të paguash edhe më shumë për parkimin dhe nëse bëni vetëm një gabim të vogël, atëherë duhet të paguani gjobë. Mendoj se qeveria është duke marrë kudo para. Kështu besoj unë”, tha Ali Syed.

Michael Ostertag, 38 vjeç, i cili punon si fotograf dhe stilist dhe planifikon të votojë për Laburistët, thotë se mungesa e banesave të përballueshme është një nga gjërat që e shqetëson më shumë aktualisht.