Elisa Spiropali ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social Facebook pas dështimit të mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Sipas Spiropalit, Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta.

“Nëse Komisioni i Reformës Zgjedhore është “instrument për t’u përballur me këtë qeveri dhe këtë kryeministër”, atëherë kush e mendon pa teklif kështu ka dy rrugë:

Ose të përgatitet që tani për dështimin e afërt në këtë “përballje” – e bashkë me dështimin të përballet edhe me mbylljen e epokës së komisioneve bipartizane për reforma zgjedhore – ose të ndryshojë pa humbur kohë konceptimin e gabuar të një instance të tillë, duke e kuptuar tani, shpejt, se komisionet e ngritura për produkte ligjore konsensuale, nuk ngrihen për t’u përballur cjepërit brirë më brirë, po për të dialoguar kundërshtarët politikë në kërkim të kompromiseve të pranuara nga palët e përfshira në komision.

Partia Socialiste mirëpret çdo ide apo platformë alternative të të gjithë deputetëve, që nuk i drejtohen komisionit në fjalë nga ballkoni apo nga gryka e bilbilave, por askush nuk bën mirë ta harrojë se edhe Partia Socialiste ka idetë e veta.

Ndërsa përballjen me këtë qeveri dhe këtë kryeministër, opozitat e disata që kemi në parlamentin e sotëm të karrigeve përmbys, flakadanëve tymhava apo gjumashëve kokëvarur, do ta kenë në qershorin e vitit të ardhshëm. Jo në komisionin e reformës zgjedhore. E patjetër që do të kenë mundësinë ta realizojnë dhe ta shijojnë deri në fund, siç e kanë realizuar dhe shijuar në 8 përballjet e fundit zgjedhore që nga viti 2013.”, shkruan Spiropali në reagimin e saj.