Shqipëria mbetet në krye të sugjerimeve të vendeve që duhet të vizitohen në 2024 edhe nga mediat britanike. Tabloidi “The Mirror” e rendit vendin tonë të parin në një listë të destinacioneve kryesore për këtë vit. Në shkrim thuhet se pushuesit e zgjuar kanë zbuluar këtë destinacion piktoresk, miqësor dhe me leverdi i cili po ofrohet gjithnjë e më shumë nga operatorët turistikë në Mbretërinë e Bashkuar.

“The Mirror” shkruan se kryeqyteti Tirana është kozmopolit me muze interesantë, ndërsa qyteti i dytë Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike.

Gazeta përmend edhe zonat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si Gjirokastra me pasurinë e saj arkitekturore.

“Shumica e britanikëve do të shkojnë në rivierën shqiptare me çmime të mira në plazhe dhe resorte të bukura si Saranda. Në brendësi, liqenet e Shkodrës dhe Bovillës plus malet e Parkut Kombëtar të Thethit duhet të zbulohen”, citon gazeta.