Jo vetëm në kampionat, Juventus po mundohet të mbajë hapin e Inter dhe të rivalizojë zikaltërit edhe në merkato. Derbi i Italisë është zhvendosur pikërisht në tregun e transferimeve teksa “molla e sherrit” mes dy klubeve është Tiago Djalo, mbrojtësi portugez i Lille.
23-vjeçari është në vitin e fundit të kontratës me Lille dhe Inter nëpërmjet ekspertit të goditjeve me parametër zero, Beppe Marotta e kishte vendosur këtë tratativë në “shinat e duhura” për ta mbyllur në verë. Zikaltërit ishin të qetë pasi kishin marrë edhe konfirmimin e vetë lojtarit që aktualisht është i dëmtuar dhe po rikuperohet nga një dëmtim në ligamentin e gjurit.
Megjithatë, te Juventus nuk qëndrojnë “duarkryq” dhe synojnë t’i paraprijnë Interit. Bardhezinjtë kanë kontaktuar tashmë drejtuesit e Lille dhe i kanë ofruar një shumë simbolike, por të mjaftueshme për të bindur francezët që ta lejojnë Djalo të largohet në merkaton dimëore.
Në këtë formë, te Lille nuk do të dilnin “duarbosh” nga largimi i një prej lojtarëve më të spikatur të skuadrës. Hapi i radhës për drejtuesit e Juventus është kontakti me lojtarin dhe te “Zonja e Vjetër” janë besimplotë se mund ta bindin Djalo të vishet bardhezi.
Madje, drejtuesit e klubit nga Torino janë të gatshëm t’i ofrojnë Djalo edhe të gjithë ndihmën e mundshme për ta kaluar dëmtimin duke besuar se në fundin e sezonit, aty kur edhe luhen ndeshjet vendimtare, mbrojtësi do të jetë gati për të kontribuar. Tashmë, mbetet për t’u parë nëse Inter do të kundërpërgjigjet, apo do të qëndrojë neutral me besimin se lojtari nuk do ta ndryshojë fjalën e dhënë.