Nga Mero Baze/

Edi Rama u përpoq t’i injorojë grupet opozitare në Parlament rreth bashkëpunimit të kushtëzuar me ta për tre ligje që presin votat e tyre. Është fjala për ligjin e reformës zgjedhore, amnistinë për të burgosurit dhe zgjedhjen e Avokatit të Popullit.

Po përse kryeministri u përpoq të injoronte bashkëpunimin me grupet opozitare?

Ajo që është e qartë brenda opozitës është se të gjitha grupet përgjojnë njëra- tjetrën se mos dikush bashkon votat me qeverinë për ndonjë ligj për ta quajtur tradhtar. Sindroma e “armikut të brendshëm” është dominuese në opozitën e sotme, dhe kur palët krahasohen me njëra- tjetrën, krahasohen pikërisht me bashkëpunimin, ose mos bashkëpunimin me qeverinë.

Në këto kushte, me këtë frymë që është krijuar brenda opozitës, çdo bashkëpunim për tre ligjet që presin 84 vota, do të konsiderohet tradhti dhe nuk ka gjasa të ndodhë. Duhet një guxim politik dhe një grup opozitar i qartë që nuk ndihmohet nga berishizmi, që të marrë vendim të bashkojë votat duke mbështetur propozimet e veta. Ndryshe të gjithë do të përgjojnë njëri- tjetrin për të raportuar tek ballkoni i Berishës.

Deri më tani ka vetëm një propozim serioz të Lulzim Bashës, që në thelb synon një ligj proporcional kombëtar me lista të hapura, çka është në një gjatësi vale me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i heq ligjit aktual pragun prej 10 mijë votash përtej të cilit llogaritej lista e hapur.
Propozime të tjera nuk ka. Propozimet e partive të vogla jo parlamentare janë ende të paqarta, sa vota të opozitës gëzojnë.
Është kjo arsyeja që Edi Rama tani është komod.

Sa i përket ligjit electoral, ai ka interes që të mos ndryshojë dhe të mbetet ky që është. Nëse Basha do vërtet ta ndryshojë, duhet të dëshmojë guxim politik që të mbrojë propozimet e veta dhe të bashkojë votat me Ramën pa pyetur se çfarë thonë palët që raportojnë tek Berisha. Ana qesharake e kësaj situate është se të gjithë duan të bashkëpunojnë për tre ligjet, por duke qenë se kanë kërkesa klienteliste, dhe jo publike, nuk guxojnë dot t’i bëjnë publike, dhe po harxhojnë kohë kot kafeneve, me njerëzit e Edi Ramës.

Fjala vjen ligji për amnistinë ishte gati për t’u kaluar, pasi në mënyrë klienteliste rreth 10 deputetë të opozitës kishin dhënë fjalën pasi përfitonin njerëz të tyre, përfshi dhe Salianjin, të cilin e presin dy vite burg. Por në fund u tremben po prej votës së tyre dhe e shtynë. E njëjta gjë është dhe për Avokatin e Popullit. Secili grup opozitar nëpër kafene jep ndonjë emër të vetin dhe garanton dhjetë vota, pastaj kujtohen për ballkonin e Berishës dhe bëhen parimorë. E duan dhe atë pjesë të konsensusit.

Kështu që qeveria e ka zgjedhje të detyruar të injorojë grupet opozitare derisa atyre t’u dalë frika nga Berisha dhe të veprojnë me guximin e tyre për të përdorur votën që kanë në mënyrë parimore, por dhe me dinjitet. Deri atëherë qeveria bën dhe pa këto tre ligje, por ata nuk bëjnë dot hair duke pritur çfarë do t’u thotë “babi i Zenit në majë të ballkonit”.