Gazeta ka disa javë që vëzhgon, por sot kemi disa pikëpyetje që duam t’i ndajmë edhe me lexuesit. Ka lidhet kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Prej 30 dhjetorit, kryedemokrati është lënë në masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’ me vendim të Gjykatës së Posaçme. Edhe pse nuk duhet të komunikojë me asnjë veç familjarëve të tij, Berisha e ka shkelur vendimin duke mbajtur miting poshtë pallatit ku jeton. Ndaj përditë, Berisha del nga dritarja e banesës dhe mban fjalimin e radhës.

Nga kati i tetë Berisha del në dritare dhe flet me mbështetësit e tij. Pikërisht këtu është kleçka! Më 7 Nëntor 2023, në kohën kur Gjykata e Posaçme dërgonte oficerët e policisë që të njoftonin kryedemokratin me masën e sigurisë, problem ka qenë gjetja e banesës së tij. Në dosjen e nxjerrë nga GJKKO shkruhej se oficerët Gentian Ndoi dhe Elsic Doda kishin shkuar në pallatin ku jetonte Berisha për ta njohur me masën e sigurisë, që asokohe ishte “detyrim paraqitje”.

“Në orën 09.45 të kësaj date, oficerët kanë shkuar sërish në këto ambiente në katin e tetë, ku dera është hapur nga Argita Malltezi. Ajo u tha policëve se babai i saj nuk jetonte aty, por në katin e katërt të po asaj ndërtese. Sipas orientimit të saj, oficerët shkuan në banesën përkatëse, ku i ranë ziles disa herë por nuk ka dalë asnjë person. Në këto kushte, janë larguar,”-shkruhej në dosje. Pra me një logjikë të thjeshtë, i bie që Berisha jeton në katin e 4 të godinës.

Tani nga pamjet e sotme që gazeta ka siguruar nga “Rrugica e Salës”, duket qartë që Berisha del dhe flet nga kati i 8 i pallatit, ku sigurisht nuk është i vetëm. Edhe në videon e mëposhtme që vetë kreu i opozitës e ka nxjerrë në Facebook, duket qartë hija e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezit që e filmon. Për më tepër, edhe e bija, Argita e ka pranuar që bashkëjeton me të atin dhe ka pasur komunikim me të pavarësisht masës së sigurisë.

Pikë së pari; i bie që Berisha, bashkë me Malltezin, të dy në “arrest shtëpie”, po e vuajnë bashkë gjithë procesin e hetimit të dosjes Partizani, për të cilën akuzohen për korrupsion. E dyta; ku e ka shtëpinë kryedemokrati? Në katin e katërt, qartësisht nuk jeton sepse del “live” çdo ditë nga kati i fundit i pallatit ku jeton. Mund të ndodhë që çifti Malltezi të kenë 2 prona në të njëjtin pallat, një në katin e tretë dhe një tjetër në të fundit, ndaj mund të ketë ndodhur që kreu i PD-së, të ketë shënuar si adresë banimi shtëpinë e të bijës. Megjithatë, ende mbetet mister; ku banon Berisha?/ZËRI