Në zyrën e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut për herë të parë do të ulet një shqiptar, Talat Xhaferi. Këtë të hënë është bërë pranim-dorëzimi i detyrës kryeministrore, duke shënuar një ndryshim historik në peizazhin politik të vendit të vogël ballkanik, derisa Dimtar Kovaçevski i dorëzoi zyrtarisht detyrën Xhaferit.

Përmes një postimi në Facebook, Xhaferi është shprehur se edhe rruga më e shkurtër është vështirë të kalohet nëse nuk ke vizion, plan, drejtim dhe qëllim. Ai është shprehur se të gjitha sfidave dhe rrugëve deri tani u është qasur me planifikim të mirë dhe qëllim të qartë.

“Dita e parë Kryeministër. Edhe rruga më e shkurtër është vështirë të kalohet nëse nuk ke vizion, plan, drejtim dhe qëllim.

Të gjitha sfidave dhe rrugëve deri tani u jam qasur me planifikim të mirë dhe qëllim të qartë.

Ashtu është edhe tani, me qëllim të qartë për Republikën e Maqedonisë së Veriut Evropiane”, shkroi Xhaferi në Facebook.