AUSTRALI – Teksa Novak Gjokoviç është në pritje të kompletimit të çifteve të gjysmëfinaleve të Australian Open dhe teksa po përgatitet për duelin me Janik Siner të premten, ka pasur një vizitë të veçantë. Ai u vizitua nga Jagadish Vasudev i njohur më mirë si Sadguru.
Guru dhe spiritualisti i famshëm indian ka ndarë një foto nga Australia me Novak Gjokoviçin dhe nuk e ka fshehur kënaqësinë e takimit me tenistin më të mirë të të gjitha kohërave.
Ai tregoi se sa të pabesueshme janë të gjitha sukseset e tenistit serb dhe ky indian, i cili po ashtu ishte në Beograd, takoi me atë rast gruan e Novakut, Jelena Gjokovic.
“Shoqërim i mrekullueshëm me Novak Djokovic. Të qëndrosh në kulmin e aftësive të tua për më shumë se dy dekada në një sport tepër konkurrues si tenisi është e jashtëzakonshëm. Përkushtimi dhe mirëkuptimi yt për trupin dhe mendjen janë një shembull i jashtëzakonshëm që të tjerët të ndjekin. Gjithë të mirat në ndeshjet e tua të ardhshme.”,- ka shkruar Sadguru, për të cilin Novak është përgjigjur: “Faleminderit Sadguru që vizitove dhe pe ndeshjen time”.