Më 24 janar 2024 Këshilli bashkiak i Shkodrës ka marrë një vendim që urdhëron ‘shkrirjen e institucioneve në varësi të bashkisë së Shkodrës”. Në mes 5 institucioneve është dhe Teatri Migjeni. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta.
Vetë drejtori i Teatrit Migjeni, Arjan Çuliçi, shprehet se nuk ka asgjë të vërtetë, madje thotë se janë në kulmin e provave për disa aktivitete që do të shoqërojnë tempullin e artit dhe të kulturës në Shkodër gjatë të gjithë vitit 2024.
Pas tij, ka reaguar edhe Kryetari i bashkisë së Shkodrës Benet Beci. Beci tregon të vërtetën lidhur me procedurën që do të jetë pas vendimit të këshillit bashkiak.
Reagimi
Institucionet kulturore nuk janë më arat e babës!
Disa thonë që është kohë e humbur të merresh me përgënjeshtrime. Disa të tjerë thonë që përgënjeshtrimi amplifikon gënjeshtrën, po nuk ndërron mendjen e gënjeshtarëve. Unë vetë s’jam mësuar as të gënjej as të humbas kohë me gënjeshtarët. Por duke parë se si gënjeshtra për Teatrin “Migjeni” ka shqetësuar njerëz krejt të sinqertë e dashamirës po i them edhe unë dy fjalë.
Me ardhjen në drejtimin e bashkisë Shkodër, kemi parë e dëgjuar nga brenda gjëra që të vjen sekëlldi t’i dish dhe vjen turp t’i thuash publikisht. Në Shkodrën ku kultura e sporti janë kryefjalë e historisë, shpirtit, vetëdijes dhe shpresës së qytetit, ne trashëguam një organikë të teatrit “Migjeni” ku 70 % të rrogave u jepeshin individëve që nuk kishin asnjë lidhje me rolin e teatrit, por me punë të tjera mbështetëse, të cilat edhe ato nuk ishin bërë megjithëse mund të bëhen me shumë më pak njerëz të futur në bordero për ato punë.
Aktorët bënin prova pa asnjë kusht, trajtoheshin për keqardhje dhe lekët e biletava nuk dihet nga përfundonin, ndërsa ato të shpenzuara për naftë mbase kanë ngrohur teatrin e politikës po Teatrin “Migjeni” jo njëherë. Idem edhe në insitucione të tjera kulturore e sportive, ku organikat e fryra me punonjësish “mbështetës”, ishin një tallje e madhe me gjendjen e mjediseve të tyre.
Gënjeshtarët në fjalë që kanë mbushur Shkodrën me lajmin se po shkrihet Teatri “Migjeni” janë fiks përgjegjësit për mjerimin e mësipërm. Ne kemi krijuar një drejtori të veçantë, e cila do të përmbushë nevojën e shërbimeve mbështetëse të insitucioneve, duke shkurtuar shpenzimet për qoka “mbështetëse” të teatrit politik dhe duke vënë në punë një sistem të ri për mirëmbajtjen e menaxhimin e godinave.
Teatri do të jetë po aty, trupa e artistëve të teatrit do të jetë aty, institucionet e tjera kulturore, sportive e arsimore, do të jenë po aty. Drejtuesit e tyre do të jenë po aty, por do të merren me art, kulturë, sport e arsim siç iu takon, jo me punët angari që duhet t’i bënin ata që morën rroga plot po nuk i bënë kurrë.
Buxheti për kulturën dhe sportin bashkisë Shkodër në vitin 2024 është 50 % më I lartë se në 2023. Rrogat dhe honoraret e punonjësve të artit e kulturës janë edhe ato më dinjitoze. Edhe mirëmbajtja e godinave të institucioneve përkatëse do të jetë dinjitoze dhe kurrë më skandaloze. Kjo është e vërteta ime, të tjerat le t’i vlerësojnë shkodranët.