Burrel, 12 janar – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ka kryer sot inspektim në gjimnazin “Pjetër Budi” në Burrel, i cili aktualisht është në proces të rikonstruksionit. Ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkinë Mat, i cili pritet të përfundojë brenda vitit, synon të përmirësojë kushtet e mësimdhënies dhe infrastrukturën shkollore.
Sipas Ministres Manastirliu, investimi në shkolla do të vijojë me buxhetin e ri në të gjithë bashkitë e vendit.
“Me shkollën “Pjetër Budi” ne përfundojmë ciklin e parë të investimeve për sa i përket më Bashkinë Mat në qytet dhe sigurisht fokusi është që ne të përfundojmë gjithë investimin dhe rehabilitimin në të gjithë Bashkinë Mat për sa i përket shkollave por edhe terreneve sportive dhe palestrave. Kemi hapur ciklin e investimeve për vitin 2024-2025 dhe thirrjen për të gjitha bashkitë për të aplikuar me projekte. Janë 1.3 miliard lekë që janë në dispozicion të investimeve dhe rehabilitimit të shkollave për 2024 dhe në vijim”.
Pas përfundimit të rikonstruksionit, gjimnazi do të jetë i pajisur me 20 klasa të reja sistemin e ngrohjes, mjedise sportive, kabinete shkencore dhe informatike, si dhe një bibliotekë të pasuruar. Këto përmirësime synojnë të ofrojnë një mjedis mësimor më të mirë dhe më të përshtatshëm për të gjithë nxënësit.
Gjimnazi, i cili mbështet një staf pedagogjik prej 26 mësuesish dhe një numër prej 309 nxënësish, është drejt përfundimit, një investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Mat. Ministria e Arsimit dhe Sportit vazhdon të investojë në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies në të gjithë vendin, duke krijuar mundësi më të mira për zhvillimin e mësimit për nxënësit dhe mësuesit.