Një takim që përfundoi keq. Ai me gjasë tentoi t’i ikte vrasësit, duke u larguar gati 100 metra nga makina, që u gjet në vendin ku ndodhi krimi. Vdekja e Bledar Dedjas, shqiptarit 39-vjeçar që jetonte në Asolo (Treviso), i cili u gjet i masakruar me thikë mëngjesin e së dielës në pyjet e Paderno del Grappa, ka ndodhur orët e vona të pasdites të së shtunës. Teksa pritet që mbi trupin e viktimës të kryhet autopsia, nga ekzaminimi i parë i autoriteteve rezulton se trupi i tij ka qëndruar i ekspozuar në temperaturat e ulëta të natës.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, një gjë është e sigurt, vrasja e 39-vjeçarit nuk ka ndodhur për shkak të një tentative për ta grabitur. Portofoli dhe të gjitha sendet personale as nuk janë prekur nga vrasësi. Këtë e konfirmon prokurori i Treviso-s, Marco Martani, i cili ndonëse i rezervuar në dhënien e detajeve, konfirmon se po analizohen telefonatat e fundit të viktimës, mes të cilave edhe biseda që pati me kunatën e tij në orën 16:15 të së shtunës.
Karabinierët kanë marrë po ashtu në pyetje familjarët dhe miqtë e 39-vjeçarit. Kryesore për ta është të zbulojnë se kë do të takonte pasditen e së shtunës. Një prej pistave që duket se hetuesit po fokusohen më së shumti është ajo e krimit të pasionit, me gjasë edhe pasi ai u gjet me pantallonat e ulur.
Në kërkim është edhe arma e krimit, një thikë që u përdor për ta goditur të paktën 15 herë viktimën. Goditja fatale ishte në mushkëri, ndërsa të shumta janë plagët që mori në duar në tentativë për t’u mbrojtur. Gjatë kësaj tentative ai e kapi thikë edhe me duar.
Zona ku ndodhi vrasja nuk është e mbuluar me kamera sigurie publike. E vetmja shpresë është që makina Mercedes e viktimës të jetë kapur në një prej kamerave private të instaluara nga shtëpitë private në zonë, e që mund të kenë fiksuar momentin kur Dedja mbërriti në Paderno. Ndoshta të zbulojë po ashtu nëse viktima ishte vetëm apo në shoqëri të dikujt.