Josef Frizl, dhunuesi seksual nga Austria që mbylli të bijën në një bodrum për 24 vjet dhe me të kishte 7 fëmijë, tanimë mund të zhvendoset nga burgu i sigurisë së lartë. Fritzl, 88 vjeç, u burgos përjetë në vitin 2009 për rastin e tmerrshëm që tronditi mbarë botën.
Media publike austriake “ORF” raporton se një raport i ri psikiatrik mbi Fritzl, i cili ka demencë, thotë se ai nuk përbën më rrezik për publikun. Kjo do të thotë se një gjykatë tani mund të vendosë nëse do ta transferojë atë në një burg normal. Fritzl po mbahet në një institucion të sigurisë së lartë.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm në Austri, mund të aplikojnë për lirim me kusht pas vuajtjes së 15 viteve dhe sipas këtij ligji, 88-vjeçari ka të drejtë të lirohet me kusht këtë vit.
Ekspertët ligjorë thonë se lirimi me kusht është gjithashtu një mundësi, që do të thotë se Fritzl, mund të zhvendoset në një shtëpi kujdesi. Në vitin 2022, një gjykatë rajonale vendosi që Fritzl nuk ishte më një rrezik dhe mund të transferohej në një burg standard, por Gjykata e Lartë Rajonale në Vjenë e bllokoi më vonë vendimin.
Rasti Fritzl, i cili u shfaq në Amstetten në vitin 2008, është përshkruar si një nga më të tmerrshimit në historinë kriminale të Austrisë. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e një prej fëmijëve të tij nga neglizhenca, si dhe për përdhunim, incest dhe skllavërim të vajzës së tij.
Pas vendimit të gjykatës, e bija e Fritzl dhe fëmijët e saj kanë marrë identitete të reja.