Projektet që synojnë zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve apo produkteve të diversifikuara të ofertës turistike në turizëm do të mund të mbështeten financiarisht nga Ministria me Turizmit dhe Mjedisit përmes një skeme që po aplikohet tashmë prej vitesh.

Ministria njoftoi për hapjen e aplikimeve të cilat do të qëndrojnë të hapura deri në 13 shkurt.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, shpall thirrjen për përfitimin e mbështetjes financiare të projekteve në fushën e turizmit, të paraqitura nga persona fizikë dhe juridikë, vendas apo të huaj, privatë ose publikë, të cilët kanë në objekt të veprimtarisë së tyre turizmin, në funksion të realizimit të misionit strategjik: ‘Shqipëria, një destinacion mikpritës, tërheqës dhe autentik, për zhvillim të qëndrueshëm të potencialeve ekonomike, natyrore dhe sociale të vendit’

Thirrja synon promovimin e destinacioneve, produkteve dhe diversifikimin e ofertës turistike për zhvillimin e turizmit malor, natyror, kulturor, tradicional, kulinar, ekoturizmit, turizmit nostalgjik, turizmit të aventurës etj., gjithashtu edhe në mbështetje të veprimtarive të sezonit turistik për vitin 2024” thuhet në njoftimin e Ministrisë për aplikimet. Sipas kësaj të fundit Projektet duhet të realizohen brenda vitit buxhetor, nga data e nënshkrimit të kontratës deri më 15.11.2024.

Ministria sqaron se tematika e thirrjes për mbështetje financiare të Projekteve në Turizëm është “Për zhvillimin dhe promovimin e destinacioneve, produkteve të diversifikuara të ofertës turistike në Turizëm”.

“Atraksionet Turistike prezantohen dhe lidhen me një sërë tiparesh dalluese materiale, intelektuale dhe emocionale të një shoqërie që përfshin trashëgiminë historike dhe zonat kulturore, gastronominë, letërsinë, industritë krijuese dhe kulturat e gjalla me stilin e tyre të jetesës, sistemet e vlerave, besimet dhe traditat.

Promovimi i destinacioneve turistike, edukimit dhe vlerave të veçanta lokale nëpërmjet zhvillimit të eventeve tradicionale dhe inovative të aktivitetit shpirtëror njerëzor, nxit dhe motivon pjesëmarrjen aktive të turistëve në përvojat shqiptare, atraksionet dhe potencialet e prekshme dhe të paprekshme të destinacioneve turistike” nënvizon në hapjen e thirrjes MTM.

Lidhur me financimin dokumentet specifikojnë se ato mbulojnë deri në 50% të kostove të projektit të pranuara e të miratuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Në rast se projekti për të cilin kërkohet financim kalon 50% të fondit buxhetor vjetor të parashikuar në buxhetin e shtetit, ai miratohet Vendim të Këshillit të Ministrave. Subjektet aplikuese duhet të plotësojë një sërë kushtesh të lidhura me vërtetim që nuk janë në falimentim apo që kanë përmbushur detyrimet tatimore./Monitor