I vetmi lëshim që duhet të bëjë drejtësia shqiptare për Fatmir Mediun, është që dhe nëse dënohet me burg në procesin që është në vazhdim për Gërdecin, të lihet i lirë nga 26 janari deri më 3 shkurt të udhëtojë në SHBA për “Mëngjesin e Lutjeve”, një organizim i një vëllazërie kristiane me ndikim në politikën amerikane, që organizohet çdo fillim shkurti.

Ajo është e gjithë jeta e tij. Vit pas viti autoriteti i tij brenda vëllazërisë është rritur pasi ky u bie më shumë klientë të ftuar se gjithë të tjerët, madje jo vetëm nga Shqipëria, por gjithë Ballkani. Politikanë me probleme me drejtësinë, politikanë me probleme me SHBA, politikanë që duan të imponohen në vendin e tyre me foto nga SHBA, biznesmenë me probleme, dhe natyrisht dhe të tjerë figurantë pa zarar. Sivjet kishte kombinuar disa deputetë nga grupi i Gaz Bardhit, me Damian Gjiknurin, me të cilin Bardhi është gati të vritet për postin e Enkelejd Alibeajt në Shqipëri. Aty dukeshin të qetë. I vetmi gjest disidence ndaj Damianit ishte se kishte prere më dysh, një fotografi që kishin bërë bashkë me kongresmenin Pete Sessions, dhe Bardhi e paraqiste si takim më vete me të, ndërsa këta të tjerët si takim të përbashkët.

Edhe vizita tek dera e librarisë së Kongresit ishte interesante, edhe pse ajo e kishte pushim dhe ishte e mbyllur, por aty kishin gjetur një nëpunëse që u kishte treguar oraret kur funksiononte dhe si funksiononte. Pastaj vjen ora e vërtetë e vizitës së Mediut në kafen e Kongresit amerikan. Çdo kongresmen që “kapet në flagrancë në kafe”, është i detyruar të dalë në foto me të, duke i rënë nga supi dhe duke i thënë a mund të bëjmë një foto se jemi ca deputetë nga Shqipëria. Ndonjërit që është i moshuar, i thonë dhe mos lëviz se afrohemi ne. Dhe kështu kompletohet dita e parë dhe e dytë e vizitës në Uashington.

Por këtë radhë mund të bëjë dhe pak dëm pa dashje. Meqë ka marrë me vete Gazment Bardhin, ata të Departamentit të Shtetit mund ta marrin seriozisht dhe ta presin për një kafe pune. Përfytyro tani Escobarin përballë Gazment Bardhit, ku pyetja më e vështirë është se si Bardhi ja bën të jetë dakord edhe me SHBA, dhe me SPAK, dhe me Sali Berishën.

Dhe përgjigja mund ta vërë në pozitë të vështirë Bardhin, ose në Uashington, ose në Tiranë. Mund ta vërë në pozitë të vështirë në Uashington, nëse atyre u thotë se unë nuk ndahem nga Sali Berisha, ose mund ta vërë në pozitë të vështirë në Tiranë kur t’u thotë atyre se unë nuk kam punë me Berishën. Por të gjitha palët në të gjitha kohërat nuk i gënjen dot. Mund t’i gënjejë për pak kohë për gjëra të ndryshme, por jo për të gjitha gjërat dhe gjithmonë. Sidoqoftë dhe nëse Bardhit i hapet ndonjë telash, Mediu është në rregull. Ai në fakt nuk është shumë i shqetësuar për çfarë do bëjë Bardhi apo të tjerët Atij i duhen fotot, t’i shikojnë këta të SPAK dhe ata të Gjykatës Speciale, që ky shkon në SHBA dhe ata “nuk mund të luajnë me zjarrin duke e dënuar”.

Ai e mendon vërtet kështu.

Nëse do të kuptosh nivelin e politikës apo drejtësisë në Shqipëri, një parametër shumë i rëndësishëm është të shikosh si sillen ata formalisht me Fatmir Mediun dhe këto sharlatanizmat e tij alla amerikane. Duket pak fëminore por nuk është se nuk i ka funksionuar. Ja për shembull Doktori rri pa pasaportë majë ballkonit, ky me 26 të vrarë në mes të Uashingtonit.