Evolimi digjital ka qenë dhe është një ndër arritjet më të rëndësishme të shoqërisë. Krijimi i medias sociale, digjitalizimi i shërbimeve, heqja e barrierave për shprehjen e lirë të mendimit, krijimi i platformave dhe hapësirave virtuale anonime kanë bërë që shumë probleme të dalin “sheshit” dhe shumë të pathëna të bëhen publike duke i shërbyer shpesh herë përmirësimit të shoqërisë.
E megjithatë, si çdo evolim i shpejtë, dinamik dhe global, ky digjitalizim e gjeti shoqërinë të papërgatitur për rreziqet që vijnë nga ky rrjet po aq sa i shpejtë dhe i fuqishëm. Sipas iSigurt.al, 60% e fëmijëve në Shqipëri janë viktima të bullizmit online, e kjo nuk përjashton dhe raste të të rriturve të cilët shpesh herë refuzojnë referimin e rasteve, kjo për shkak të neglizhencës apo mungesës së besimit te autoritetet.
Por, cilat janë format e bullizmit online dhe cilat janë masat që mund të marrim në rast se biem viktimë e një sulmi të tillë?
Bullizmi online është në praktikë përdorimi I teknologjisë digjitale, si telefoni, email-I, platformat e komunikimit online, mesazhet etj me qëllim për të “ngacmuar” një individ tjetër. Kjo përfshin shpërndarjen dhe postimin e materialeve të cilat synojnë turpërimin apo denigrimin e individit tjetër.
Kaspersky ka listuar disa nga shembujt se si kryhet bullizmi online, siç janë:
– Ngacmimi i drejtpërdrejtë nëpërmjet përdorimit të fyerjeve, gjuhës së urrejtjes, postimeve fyese, me përmbajtje raciste apo denigruese si dhe shfrytëzimi i hapësirave virtuale për dëmtimin e imazhit të tjetrit.
– Impersonifikimi apo “klonimi” që përfshin krijimin e adresave të dyfishta (duplikimin e adresës personale të individit) dhe postimin e materialeve të padëshiruara apo që nuk janë në zgjedhjen e personit pronar të adresës reale, grumbullimi pa të drejtë i informacionit personal dhe përdorimi i tij me qëllim denigrimin e figurës së personit.
– Vjedhja e informacionit dhe shpërndarja e paligjshme nëpërmjet shpërndarjes pa dakordësinë e personit të imazheve apo videove private, seksuale, denigruese, video të dhunës fizike, shpërndarja e thashethemeve apo informacioneve që dëmtojnë reputacionin e individit dhe e çdo material që cilësohet personal dhe jo publik sipas legjislacionit të çdo vendi.
Pasojat e bullizmit ose dhunës online mund të jenë nga më të lehtat deri në ato më tragjiket. Bullizmi online, ndryshe nga ai fizik, ka një element shtesë që e rëndon shpesh situatën psikologjike të viktimës. Ky element është anonimati ose e panjohura. Në rastet e bullizmit fizik, viktima e njeh agresorin, e identifikon atë, çfarë e bën më të lehtë referimin si dhe besimin te zgjidhja e problemit ose te marrja e masave. E kundërta ndodh shpesh me bullizmin online, ku agresori shfaqet I panjohur ose I shumfishtë (në rastin e përdorimit të disa profileve) si dhe denigrimi I imazhit bëhet në një public të gjerë e masiv duke shkaktuar atë që quhet “poshtërimi publik” dhe duke e bërë më të vështirë rehabilitimin e viktimës.
Por çfarë duhet të bëjmë konkretisht nëse biem viktimë e bullizmit online?
– Së pari, adreso problemin. Fol me dikë. Prindërit, shokët, organet kompetente, drejtuesit apo çdo person tjetër që mendon se mund të të ndihmojë. Dhuna online nuk duhet mbajtur e fshehtë. Ajo duhet trajtuar dhe kuruar njëlloj si dhuna fizike dhe për këtë duhet adresuar po njësoj.
– Ruaj çdo material. Ruaj çdo komunikim, sms, video mesazh, audio, email apo gjithçka mund të kesh nga agresori. Screenshot (fotografo në mënyrë digitale materialet në telefonin tënd) dhe ruaji ato me datën dhe orën përkatëse. Kështu do të kesh të gjitha provat për të bërë kallzimin në drejtorinë vendore të policisë në zonën ku banon, pranë njësisë për krimin kibernetik.
– Mos u përfshi në debat! E di që duket e vështirë sepse tendenca e parë është të përgjigjesh dhe të reagosh me të njëjtën gjuhë, por JO. Përhapja e gjuhës së urrejtes thjesht e fuqizon fenomenin dhe nuk ndihmon për ta luftuar atë. Sanksioni më i mirë I bullizmit online është injorimi I tij. Mendoni një aggressor që afrohet tju sulmojë fizikisht. Ju keni pultin e një dere të cilën mund ta shtypni dhe dera mbyllet automatikisht, ose mund ta prisni agresorin gati për të luftuar dhe të ndesheni me të. Pulti online është mundësia që ka secili prej nesh për t`I bërë block agresorit, për ta injoruar atë, duke I mbyllur derën që e bën të ndihet I rëndësishëm ose I aftë për të sulmuar.
– Denonco! Përndjekja, kanosja, kërcënimi, vjedhja dhe përdorimi i adresave virtuale përbën vepër penale dhe dënohet me ligj. Policia ka detyrimin të të përgjigjet dhe të ndjekë kallzimin tënd, nëse ndihesh i rrezikuar apo I kërcënuar. Njihu me të drejtat dhe garancitë e tua ligjore dhe përdori ato.
Së fundmi, si çdo epokë që ka sfidat e saj, edhe kjo që po jetojmë tani po përballet me ndryshime të njëpasnjëshme. Ligjvënësi duhet të ndërhyjë me marrjen e masave për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe sanksionimet, njëkohësisht agjencitë ligjzbatuese duhet t`I japin rëndësinë e duhur trajtimit të të gjitha rasteve, por mbi të gjitha, komuniteti dhe shoqëria duhet të ndërgjegjësohen në mënyrë të vazhdueshme për pasojat e bullizmit online, për luftën kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për trajtimin dhe mbështetjen e viktimave.
Me siguri vite më vonë, edhe ky shqetësim do të marrë drejtimin e vet, sepse dihet tashmë që epokat lënë vetëm silueta.
Por, derisa të arrijmë aty, edhe sa viktima do të presim?!
Msc. Klaudia Hasanllari
Kriminologe dhe Eksperte për Bullizmin Online (Forensic Science Institute)