Rreth 50 forca të policisë së Shkodrës, FNSH, por edhe një grup i RENEA zhvilluan një kontroll të befasishëm në një fshat të Shkodrës për arrestimin e Eljon Hato i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza”, i njohur edhe si mik i Ervis Martinajt.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se ka pasur informacion se në ditët e fundit, Eljon Hato lëvizte përreth zonës dhe mund të ishte në banesë dhe policia ka ndërhyrë me Forcat Speciale më qëllim arrestimin e tij. Policia ka bërë kontroll brenda banesës, por nuk kanë gjetur asgjë. Gjatë operacionit, Forcat Speciale janë ndeshur me qentë e banesës dhe kanë qëlluar ndaj kafshëve, duke e vrarë njërin qen dhe kanë plagosur qenin tjetër.

Elton Hato, një emër me rekorde kriminale, ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë një person. I konsideruar “ushtari” i Ervis Martinajt, Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal “Monopol” ku u vra Fabiol Gaxha.