Ky është 35-vjeçari Jetnor Zhaboli, i cili mbante të mbyllur prej muajsh nënën, gruan dhe dy fëmijët e mitur, brenda banesës së tyre.
Fillimisht, policia kishte marrë informacion dhe kishte indicie që një person mbante familjarët të mbyllur. Pasi efektivët kanë shkuar në këtë banesë, kanë parë që ishte e mbyllur. Më pas kanë shoqëruar 35-vjeçarin i cili ka hapur derën e banesës.
Pasi janë futur në banesë, kanë parë që shtëpia ishte e gjitha me kamera sigurie, në të gjitha dhomat e po ashtu edhe në tualet. Pas kontrolleve janë gjetur edhe dy letra që gruaja kishte lënë, ku lihej të kuptohej se kishte tentuar vetëvrasjen, duke u dhënë lamtumirën dhe duke u kërkuar falje familjarëve.
Menjëherë më pas është bërë arrestimi i 35-vjeçarit, si dhe janë shoqëruar në komisariat nëna, gruaja dhe fëmijët. Nga dëshmitë e dhëna nga bashkëshortja, thuhet se 35-vjeçari përveçse se u kishte hequr lirinë, edhe i dhunonte.
Sakaq, pas dëshmisë, gruaja dhe fëmijët janë strehuar tek banesa e prindërve të saj, në zonën e Paskuqanit.