Dy shqiptarë të Kosovës kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Hungari në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Viktimat janë identifikuar si 28-vjeçari Kushtrim Hoxha nga Prizreni dhe bashkëshorti i motrës së tij, Jetmir Rexhepi rreth 30 vjeç, nga fshati Celinë. Ata ishin nisur nga Gjermania për në Kosovë, por mjeti ku udhëtonin u përplas me një kamion në Hungari dhe u përfshi nga flakët.

Pak para aksidentit tragjik, Kushtrim Hoxha kishte folur me kushëririn e tij ku i kishte dërguar një mesazh: “O ti mashkull mos flej se unë po arrij”.

Sipas xhaxhait të viktimës, Bashkim Hoxha, 28-vjeçari ia kishte dërguar mesazhin djalit të tij 20 minuta para se të ndodhte aksidenti.

“Aksidenti siç kanë thënë policia ka ndodhur diku rreth orës 01:15 të natës, parmbrëmë. Kanë qenë duke shkuar për Kosovë… 20 minuta para se me ndodh i ka shkruar djalit tim ‘o ti mashkull mos flej se unë po arrij’. Kushtrimi ka lindur dhe është rritur në Gjermani”, ka treguar ai, raporton Telegrafi.

Gjithashtu xhaxhai i 28-vjeçarit është shprehur se Kushtrimi është dërguar në spital, por që nuk ka arritur t’i përballojë plagët e marra, ndërsa kunati i tij Jetmiri ishte djegur brenda automjetit nga flakët.

“Trupi i Jetmirit është djegur, duhet të shkojnë familjarët në Hungari për obduksionin e tij…”, tha ai.

Kushtrimi ishte baba i një vajze katër muajshe, ndërsa Jetmiri kishte një djalë 1-vjeçar.