Nga Mero Baze/

Frika e re e grupit të Berishës tani më nuk është mosrespektimi i opozitës në Kuvend, por frika se mos opozita respektohet tani që iku Berisha dhe ngelet pa zgjidhur vetëm halli i Berishës. Kjo u pa qartë sot në ditën e hapjes së seancës së re të Kuvendit të Shqipërisë. Mungesa e Berishës solli aty ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri dhe presidentin Begaj, i cili do t’i adresohej Kuvendit me një fjalim.

Grupi i deputetëve të Berishës, ishin përgatitur për të dy llojet e mysafirëve për t’i penguar.
Presidentin Begaj e penguan me bilbilë, ndërsa ambasadorët e Perëndimit me parrulla anglisht, një prej të cilave pati guximin ta mbante dhe vet Flamuri në gjoks. Askush nuk e dinte se përse ambasadorët e Perëndimit po vinin në Kuvend dhe çfarë do thoshte në fjalën e tij presidenti Begaj. Ambasadorët ishin aty për të mbështetur kërkesat e opozitës për komisione parlamentare dhe presidenti Begaj për të theksuar rolin e rëndësishëm të opozitës në Kuvend.

Ishte thuajse një protokoll i koordinuar jo aq në favor të qeverisë, se sa në mbështetje dhe qetësim të opozitës. Por grupi i Berishës, ishte i shqetësuar pikërisht nga kjo. Pra ata ishin të shqetësuar pse dy institucione të rëndësishme, ai i presidentit dhe i trupit diplomatik në Tiranë duan t’i zgjidhin problemet e opozitës tani që Berisha nuk është në Kuvend. Pra gjithë halli i tyre është mënjanimi, izolomi dhe ndoshta dënimi i Berishës, dhe jo problemet e opozitës. Problemet e opozitës sot kishin në Kuvend mbështetje të presidentit dhe ambasadorëve të huaj dhe pikërisht pse ata e dinin atë, bllokuan fjalimin e presidentit dhe sulmuan me parulla diplomatët e Perëndimit në lozhat e Kuvendit.

E thënë më shkurt, frika që ka tani grupi i Berishës, është se mos opozitës ja zgjidhin kërkesat që ka dhe pastaj zbulohet qëllimi i vërtetë i “betejave” të tyre që kanë të bëjnë me Berishën. Kjo do ta fragmentonte më shumë opozitën dhe do të krijonte një shumicë opozitare që nuk ndiqte pas Flamurin dhe Gazin, por t’u përmbaheshin kërkesave të opozitës për një jetë parlamentare normale. Edhe sot kishte shenja të tilla. Gati gjysma e deputetëve të opozitës nuk lëvizën nga vendi për të shkuar pas Flamurit, por sidoqoftë grupi Berishës i doli të “keqes” përpara, se mos normalizohej jeta e opozitës. Vërtet lanë mënjanë flakadanët, por me bilbila dhe fletërrufe, ata duke bërë si trima dhe shumica duke bërë si “frikacake”, vazhduan punën e tyre, nga frika se mos ngeleshin pa zgjidhur vetëm hallet e Doktorit. Të cilat në fakt do t’i zgjidhë gjykata, jo Kuvendi. Kuvendin ai nuk e shikon më.